10 C
Pec
E mërkurë, 28 Shkurt, 2024

BBC: Shqetësim te ndërkombëtarët rreth vendimit për dinarin, Qeveria e Kosovës ka treguar pak prirje për të dëgjuar aleatët

Mediat e huaja i kanë dhënë jehonë vendimit që përjashton dinarin serb nga qarkullimi, si  veprim që mund të çojë në tensione të reja në veri të Kosovës.

Mediumi britanik BBC raporton se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb ka shkaktuar shqetësim tek partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, përmendur këtu BE-në, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Autoritetet e Kosovës po ecin përpara me një politikë që e bën euron monedhën e vetme të pranueshme, edhe pse disa zona ende përdorin dinarë serbë.

Ky veprim ka shkaktuar shqetësim tek partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. BE, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar janë të shqetësuara se mund të rrisë tensionet në komunat me shumicë serbe”, nis shkrimi i BBC.

Tutje BBC raporton se pas presionit Qeveria e Kosovës tha se nuk do të zbatonte masa të menjëhershme ndëshkuese për ata që vazhdojnë ta përdorin dinarin.

“Pasi u vu nën presion, qeveria e Kosovës tha se “nuk do të zbatonte menjëherë masat ndëshkuese” nëse njerëzit vazhdojnë të përdorin dinarin, shkruan BBC.

Por  mediumi britanik thotë kjo “nuk ka gjasa të qetësojë serbët e Kosovës, të cilët kanë parë një sërë simbolesh të identitetit të tyre “të fshihen” muajt e fundit”.

“Targat serbe u zhdukën në fillim të vitit dhe autoritetet e Kosovës kanë hequr flamujt dhe tabelat serbe nga ndërtesat publike në zonat me shumicë serbe.

Ndikimi i mundshëm i politikës valutore është i dukshëm në vende të tilla si Mitrovica e Veriut. Qyteti mund të jetë brenda kufijve të Republikës së Kosovës, por kur hyni në një dyqan, kafene apo restorant në bregun verior të lumit Ibër,  shpejt do të zbuloni se çmimet janë vendosur në dinarë serbë.

Përdorimi i dinarit pasqyron faktin se shumica e popullsisë në katër komunat veriore të Kosovës janë serbë. Ata nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, dhe shumë punojnë në institucione të cilat ende financohen nga qeveria në Beograd.

Kjo do të thotë se pagat e tyre paguhen në dinarë. E njëjta gjë vlen edhe për pensionet dhe përfitimet sociale që u paguhen serbëve që jetojnë në Kosovë, të cilët janë shumicë në gjithsej 10 komuna”, shkruan tutje BBC.

Mediumi britanik thotë se nuk pati njoftim paraprak për vendimin për të hequr dinarin nga qarkullimi duke përmendur edhe reagimet që pasuan më tutje.

“Ata kanë pasur pak njoftim për planin e autoriteteve për të ndaluar përdorimin e dinarit. Banka Qendrore e bëri njoftimin vetëm në mes të janarit, duke mos lënë kohë për t’u përshtatur.

BE thotë se është e shqetësuar për pasojat që mund të ketë ky vendim në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

BE-ja kritikoi gjithashtu “mungesën e konsultimeve paraprake” dhe paralajmëron se politika vetëm për euron mund të ketë “ndikim në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”. SHBA dhe Britania e Madhe kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkruan BBC.

Por BBC thotë se Qeveria në  e Kosovës ka treguar pak prirje për të dëgjuar përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës.

Në fakt, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi argumenton se rregulloret e reja nuk përbëjnë një ndalim të monedhës pasi ajo “nuk ishte e lejuar në Kosovë as më parë”. Në vend të kësaj, vendimi  synon “të mbrojë konsumatorët dhe sistemin e pagesave në Kosovë”, thotë ai.

Ky argument nuk do t’i bindë serbët e Kosovës apo shumë vëzhgues ndërkombëtarë. Studimi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave thotë se ndalimi i monedhës përshtatet me një model të “presionit të vazhdueshëm” ndaj serbëve të Kosovës që kur kryeministri Albin Kurti mori pushtetin në vitin 2021.

Për momentin, përkundër ndalimit, njerëzit në Mitrovicën e Veriut ende përdorin dinarë dhe madje mund t’i tërheqin ato pranë Bankës së Kursimeve Postare. Por për serbët e Kosovës, situata e monedhës shton një ndjenjë në rritje të pasigurisë, përfundon shkrimi i BBC/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...