8.7 C
Pec
E premte, 1 Mars, 2024

BE-ja e mirëpret nënshkrimin e kontratës për energjinë ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit

Zëdhënësja për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, ka thënë se “BE-ja mirëpret nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë së sapothemeluar sipas ligjit të Kosovës, Elektrosever”.

Sipas Massrali, kjo do të thotë se Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.

“Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, thuhet në komunikatën e BE-së.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015”, ka shtuar BE-ja.

BE-ja ka përfunduar duke kërkuar që të gjitha Marrëveshjet e tjera të Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të Zbatohen pasi sipas BE-së kjo është “në interes të normalizimit të marrëdhënieve” ndërmjet dy vendeve.

Për nënshkrimin e kësaj kontrate komerciale, gjatë ditës fillimisht reagoi i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak e vlerësoi si një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë.

“Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Urime për të gjithë ata që e bënë të mundur”, tha Lajçak.

Sipas udhërrëfyesit të qershorit 2022, Elektrosever do të nënshkruante marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in brenda dhjetë ditëve nga lëshimi i licencës, “për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë”

Këto marrëveshje do t’i mundësonin asaj “të ofrojë shërbime të shpërndarjes (faturim, arkëtim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe”. / Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...