Bashkimi Evropian është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Zyrtarët Publikë u cili gjatë javës u dërgua për herë të dytë në këtë Gjykatë me gjithë ndryshimet e bëra në të. Zyra e BE-së në Kosovë tha për media se ky Ligj lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij dhe se presin që Kosova t’i përmbushë zotimet për një kornizë legjislative në përputhje me standardet e BE-së.
Në një përgjigje për media, zyra e BE-së në Kosovë tha se Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë parasysh këshillat e BE-së dhe se ligji nuk i trajton rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023 në mënyrë adekuate dhe rrezikon të shkojë kundër tyre.
“Shqetësimet tona kryesore, që janë ngritur në opinione të ndryshme të BE-së për këtë ligj, kanë të bëjnë me ndryshimet që janë bërë në pozitat udhëheqëse në shërbimin civil, duke e lejuar përkohësinë dhe jostabilitetin përmes përcaktimit të mandateve të kufizuara në kohë dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat udhëheqëse, në vend të sigurisë dhe parashikueshmërisë në karrierën e shërbyesve civilë të nevojshëm për profesionalizimin e tij. Për më tepër, ai lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij. Gjithashtu, me keqardhje shohim se të gjitha ndryshimet e tilla të Ligjit për Zyrtarët Publik i janë dorëzuar Parlamentit pa konsultime paraprake publike”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Kosovë.
Ditë më parë PDK-ja dhe LDK-ja, dërguan në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke akuzuar pushtetin për tendenca për kapjen e institucioneve të pavarura. Këto akuza u mohuan nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila tha se në Ligjin për Zyrtarët Publikë janë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e BE-së dhe jo vetëm.
Ndërkohë, BE-ja tha se është në pritje të vendimit të Gjykatës për Ligjin për Zyrtarët Publikë, dhe se pret nga Kosova që t’i përmbushë zotimet për një administratë publike profesionale.
“Reforma e Administratës Publike është pjesë esenciale e rrugës së Kosovës drejt BE-së. Sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformës, Kosova është zotuar ta zhvillojë një administratë publike profesionale, efikase dhe llogaridhënëse për ta sjellë Kosovën më afër BE-së dhe për të mirën e qytetarëve. Për këto arsye, ne presim që Kosova t’i përmbushë këto zotime dhe ta ketë një kornizë legjislative që është në përputhje me standardet e BE-së. BE-ja është në pritje të vendimit të Gjykatës për këtë çështje”, tha zyra e BE-së.
Më 30 tetor të këtij viti shumica parlamentare miratoi ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë pasi Gjykata Kushtetuese kishte shpallur të pavlefshme disa nene të këtij ligji, duke e obliguar Kuvendin t’i bënte ndryshimet e nevojshme./Njeshi/