Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova e Serbia s’kanë gatishmëri për të bërë kompromise për të arritur dakordim për çështjen e pagesave cash në Kosovë, pas dështimit të takimit të shtatë të palëve për çështjen e dinarit.
Zyra për informim e BE-së, në një deklaratë për media, ka theksuar se edhe pse palët kanë tejkaluar disa dallime, ende nuk kanë arritur një marrëveshje për aspekte të caktuara.
“Dialogu i zhvilluar në Bruksel mes datave 28 shkurt dhe 15 maj ka përfshirë disa takime ku të dyja palët kanë ekspozuar qëndrimet e tyre dhe kanë kërkuar mundësi bashkëpunimi.”
Gjatë këtyre diskutimeve, Bashkimi Evropian ka paraqitur një sërë ide dhe propozime për të ndihmuar në ndërtimin e konsensusit.
Si pjesë e këtyre përpjekjeve, u arrit një marrëveshje për krijimin e një entiteti të ri biznesor në mbështetje të flukseve financiare mes dy vendeve.
Ky entitet i ri, që do të operojë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të merret me shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia.
Megjithatë, ngërçi ka mbetur në disa pika të debatueshme.
“BE-ja prezantoi një propozim të kompromisit që nuk u pranua nga palët për shkak të ndarjeve lidhur me shtrirjen e aktiviteteve të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë”, thuhet në reagim.
Takimi i fundit nuk solli asnjë afrim të pozicioneve.
“Sot dëshmoi që palët nuk ishin të gatshme të gjenin një zgjidhje të përbashkët,” njofton BE-ja, duke shprehur zhgënjimin se asnjë marrëveshje nuk u arrit në takimin e fundit.
Bashkimi Evropian ka theksuar se kjo situatë reflekton një mungesë të dukshme të gatishmërisë për të gjetur një zgjidhje që do të përfitojnë të dyja palët në të ardhmen./Njeshi/