Zgjedhjet e reja në Veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kjo është e disata herë që brenda pak muajve Bashkimi Evropian ka një kërkesë të ngjashme për Republikën lidhur me organizimin e zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.
E njëjta thirrje u përsërit nga Unioni edhe të hënën.
“Edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune të prillit 2023 të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët ato nuk ofruan një zgjidhje afatgjate. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, u shpreh Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Sa i përket zgjedhjeve, Qeveria e Kosovës – më konkretisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë – po përgatit një udhëzim administrativ, i cili ua mundëson qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit. Ai është thënë se do të jetë gati në shtator.
BE i bën apel si Kosovës, ashtu dhe Serbisë që të marrin masa për de-përshkallëzim.
“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, i cili i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, u shprehen nga BE.
Bashkimi Evropian pati këtë përgjigje kur u pyet nëse do t`i heq masat e vendosura ndaj Kosovës.
“Sa i përket masave, ne e kemi bërë mjaft të qartë qëndrimin tonë gjatë ditëve dhe javëve të fundit, dhe nuk ka asgjë të re që do të dëshironim të shtonim në këtë fazë”./Njeshi/