17.1 C
Pec
E premte, 11 Tetor, 2024

BE mbështetje Shqipërisë për përballimin e rreziqeve nga përmbytjet

Në Shkodër u mbajt takimi tre ditor “FloodNorthALB”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 9 vende të Europës dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“FloodNorthALB”, është një nga programet e Bashkimit Europian që synon të përmirësojë gatishmërinë për mbrojtjen civile në Shqipëri dhe të testojë kapacitetet për të përballuar situatat e krijuara nga përmbytjet, sidomos në rajonin e Shkodrës.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, ultësira e Shkodrës është rajoni më i prekur në Shqipëri nga përmbytjet e shkaktuara gjatë 15 viteve të fundit, të cilat kanë rrezikuar jetën e banorëve dhe ekonominë e zonës.

Takimi i ekspertëve nga vendet e Europës dhe Angjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në Shqipëri u parapri në mesjavë nga një stuhi reshjesh që paralizoi për disa orë jetën në rajonin e Shkodrës, shoqëruar me një viktimë, si një paralajmërim ky për rrezikun e përsëritjes së përmbytjeve në këtë rajon, i cili gjatë 15 viteve të fundit është përballur me përmbytje të njëpasnjëshme, të cilat kanë vënë në rrezik jetën dhe ekonominë e banorëve.

Ekspertja e Programit të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, Mariangela Pelliccia, thotë se BE po punon me autoritetet dhe ekspertët për të rritur gatishmërinë për mbrojtjen nga rreziqet e përmbytjeve në Shqipëri, sidomos në rajonin e Shkodrës.

“FloodNorthALB’, thotë ekspertja, është një nga programet më të rëndësishme të gatishmërisë së Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile në Shqipëri, program që jep mbështetje për shmangien e rreziqeve nga përmbytjet, sidomos në rajonin e Shkodrës. Ne, shtoi ajo, po punojmë me ekspertët dhe autoritetet që ato të përgatiten për t’u përballur me rrezikun e përmbytjeve dhe për të shpëtuar jetën e njerëzve”.

Sipas drejtorit të gatishmërisë në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Leonard Qyra, të rrezikuara nga përmbytjet janë përveç rajonit të Shkodrës edhe ai i Lezhës, Durrësit, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës dhe Fierit. Në disa prej këtyre zonave, vitet e fundit është investuar në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës mbrojtëse.

“Pas vitit 2010 kanë ndodhur disa ndryshime strukturore, të cilat janë masa parandaluese përsa i përket përmbytjeve. Janë investime strukturore për të forcuar digat e lumenjve apo për pastrimin e kanaleve, që ndikojnë zakonisht në përmbytje. Gjithashtu kemi përmirësuar edhe sistemin e paralajmërimit të hershëm, i cili është një element shumë i rëndësishëm përsa i përket përmbytjeve në mënyrë që të njoftojmë popullsinë për të marrë masat paraprake”, tregon ai.

Megjithë përmirësimet e viteve të fundit, thotë drejtori Qyra, Shqipëria ka ende nevojë për të fuqizuar kapacitetet njerëzore dhe materiale për përballimin e rreziqeve që vijnë kryesisht nga përmbytjet.

“Sigurisht, Shqipëria ka kapacitete. Në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë i kemi forcuar këto kapacitete. Por, gjithsesi, kapacitetet për rastet e fatkeqësive natyrore, jo vetëm ne, por asnjë vend, nuk i ka të mjaftueshme. Prandaj ne zhvillojmë stërvitje, prandaj bëjmë edhe këto bashkëpunime, prandaj jemi edhe pjesëtarë të mekanizmit europian të mbrojtjes civile, në mënyrë që, në rast të një fatkeqësie natyrore apo një përmbytje masive, ne të bashkojmë forcat me të gjitha vendet e tjera për t’i ardhur në ndihmë popullsisë”.

Megjithë investimet e bëra në rajonin e Shkodrës pas përmbytjeve masive të vitit 2010, Shkodra vazhdon të jetë rajoni më i rrezikuar në Shqipëri nga përmbytjet.

Kjo për shkak jo vetëm të ndryshimeve klimatike të viteve të fundit, por edhe reshjeve me mbi 3000 milimetër gjatë mesatares vjetore në pjesën malore të pellgut ujëmbledhës, si dhe katër hidrocentraleve që gjenden në veri të vendit, të cilët shkarkimet fundore të ujërave i kanë në zonën e Nënshkodrës./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...