Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, në takimin që do të mbajnë në Tiranë, më 6 dhjetor, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ata, po ashtu, pritet të kërkojnë nga vendet e rajonit që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta.
Këto porosi do të jenë pjesë e së ashtuquajturës “Deklaratë e Tiranës“, draftin e së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.
Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.
Ai vjen në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë ndryshime të mëdha në rendin ndërkombëtar.
Për pasojat e saj pritet të flitet edhe në samitin e Tiranës.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, që po eskalon e po e vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe atë globale, potencon rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në tekstin e draft-deklaratës së Tiranës.
“Bashkimi Evropian rikonfirmon përkushtimin e plotë dhe të padyshimtë për perspektiven e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, bazuar në reformat kredibile nga ana e partnerëve“, thuhet po ashtu në tekst./Njeshi/