5.9 C
Pec
E diel, 3 Mars, 2024

​Begaj: Dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohje reciproke

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi mbrëmjen e djeshme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.

Kreu i Shtetit në fjalimin e tij u fokusua në arritjet e vitit që lamë pas, te sfidat e Shqipërisë, ato rajonale dhe globale përgjatë vitit 2024, ndërsa ndau me të pranishmit vizionin për përballimin me përgjegjshmëri të këtyre sfidave në funksion të zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim e dialog për paqen, sigurinë dhe shpresën për një të ardhme më të mirë duke e cilësuar diplomacinë jo si opsion, por domosdoshmëri.

Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal

Fjala e plotë e Presidentit Bajram Begaj para trupit diplomatik:

Zoti Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Zonja e zotërinj,

Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në këtë takim të parë të vitit të ri!

Për mua ky takim është i një rëndësie të veçantë, sepse është mundësi e mirë të ndajmë bashkë jo vetëm rezultatet e vitit që shkoi, por edhe sfidat dhe shpresat për vitin që sapo ka filluar.

Sfidat dhe shpresat janë sa globale, edhe rajonale, dhe sa më të ndërgjegjshëm të jemi për kompleksitetin e tyre, aq më shumë do të jemi të përgjegjshëm për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.

Po përballemi me kriza dhe kërcënime. Ato janë të shumëllojshme për nga natyra dhe shpesh të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën.

Këto kriza dhe kërcënime gjejnë shprehje në zvarritjen, dhe shpesh në dështimin e dialogut, në sulmin ndaj parimeve demokratike të qeverisjes dhe në krijimin e ligjërimeve dhe veprimeve diametralisht të kundërta.

Agresioni rus ndaj një vendi sovran si Ukraina vazhdon. Populli dhe qeveria ukrainase janë heronjtë e përditshëm të një qëndrese në emër të sovranitetit dhe dinjitetit njërëzor.

Shqipëria e mbështet Ukrainën në luftën e saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit.

Sulmi terrorist i Hamasit kundër Izraelit e rindezi konfliktin, duke përkeqësuar situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Mbështesim zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Po ashtu edhe rajoni ynë nuk ka qenë imun ndaj kërcënimit prej krizave reale. Akti terrorist i shtatorit 2023 në Banjskë dhe ngjarje të tjera të ndodhura në Kosovë janë shenja të një status-quo-je të brishtë dhe të një situate që mund të sillte pasoja të rënda për rajonin dhe Europën. Fatmirësisht, nuk pati përshkallëzime.

Mbështetja e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për kryerjen e hetimeve të thelluara për identifikimin dhe dënimin e nxitësve dhe të autorëve është e domosdoshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie për rajonin dhe Europën.

Situata në Bosnje-Hercegovinë është delikate dhe kërkon vëmendje, pasi ka ende aktorë politikë, të cilët nuk janë shkëputur nga e kaluara konfliktuale.

Këtyre situatave u shtohen dhe zhvillimet dramatike në vende të tjera. Rreziqet dhe kërcënimet potenciale të lidhura me: ekstremizmin e dhunshëm, emigracionin e paligjshem, kriza ekonomike, kriza ushqimore, kriza energjetike, sfidat e sulmeve kibernetike, kontrollin e inteligjencës artificiale, pasojat e pandemisë dhe ndryshimet klimatike janë çështje që duhen përballuar e për të cilat duhet angazhim dhe zgjidhje.

Përballja me këto sfida dhe kërcënime kërkon të jemi të bashkuar në një aleancë për mbrojtjen e paqes dhe të vlerave demokratike.

Kjo aleancë vlerash duhet të jetë e hapur, jo e mbyllur; përfshirëse, dhe jo përjashtuese, ku diversiteti kulturor, fetar dhe etnik konsiderohet pasuri dhe jo mangësi.

Zonja dhe zotërinj,

vitin e shkuar pata kënaqësinë të vizitoj dhe të pres kryetarë dhe përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave të ndryshme. Çdo takim ka patur veçantinë e tij, por e përbashkëta e tyre ishte dakordësia për respektimin e vlerave universale.

Vitin e shkuar, Shqipëria dha një kontribut të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Ne do të mbetemi të angazhuar dhe të përkushtuar edhe në ushtrimin e detyrave të tjera, si anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s.

Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuara me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria gjithashtu do të vijojë të japë kontributin për paqe në rajon dhe më gjerë, sepse paqja është themeli i mirëqënies, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektit të ndërsjellë.

Angazhimi ynë në arenën ndërkombëtare do të vijojë paralelisht me të gjitha reformat e filluara në vend, në veçanti me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike, si dhe përpjekjet tona për drejtësi sociale.

Thellimi i reformave dhe nxitja e zhvillimit social- ekonomik të vendit është para së gjithash për të mirën e qytetarëve tanë. Këto ndihmojnë gjithashtu edhe në çeljen e kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për të konsoliduar besimin e aleatëve dhe të miqve tme në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjej rastin të falënderoj SHBA-në dhe vendet e Bashkimit Europian për bashkëpunimin dhe mbështetjen në ecurinë e procesit të integrimit dhe zhvillimin e reformave të gjithanshme që kemi ndërmarrë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Ju falënderoj, shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave shumëpalëshe, për ndihmën dhe kontributin e dhënë që Shqipëria të konsolidojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të përballojë sfidat ekonomike dhe sociale!

Falënderim dhe mirënjohje për promovimin e Shqipërisë, vlerave të saj historike, kulturore dhe bukurive natyrore, si dhe për bashkëpunimin e frytshëm në nxitjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta!

Zonja e zotërinj,

vitin e kaluar Shqipëria njohu zhvillime pozitive dhe të suksesshme në disa fusha, ndër të cilat mund të veçojmë turizmin, sportin dhe kulturën.

Jemi krenarë që po shpërblehet mundi dhe puna e çdo shqiptari të ndershëm, punëtor e atdhetar. Kontributi i tyre duhet të jetë frymëzues edhe për klasën politike, e cila ka mundësinë të ushtrojë dialogun politik dhe të bashkëpunojë në funksion të interesit të qytetarëve dhe interesit kombëtar.

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Arritjet e vitit të shkuar do të pasurohen nga ngjarje të reja gjatë vitit 2024. Të tillë e quaj 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, që shpresoj se do të gjejë një rajon më bashkëpunues dhe më pranë BE-së.

Shpreh bindjen se edhe Bashkimi Evropian do vijojë t’i kushtojë vëmendjen e duhur e të veçantë Ballkanit Perëndimor.

Është me rëndësi që rajoni të mbështetet dhe të krijohen mekanizmat që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve.

Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar. Faktori shqiptar ka kontribuar dhe do të vijojë të kontribuojë për paqen dhe sigurinë e rajonit.

Shqipëria mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe integrimin e saj Euro-Atlantik. E përshëndes vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës!

Për ambasadorët e vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, dua të ripërsëris kërkesën ta njohin Republikën e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm.

Gjej rastin të ritheksoj mbështetjen tonë që dialogu Kosovë -Serbi të jetë i hapur dhe të avancojë, të normalizojë marrëdheniet mes palëve dhe të çojë drejt njohjes reciproke.

Uroj që presidencat belge dhe hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe presidenca malteze e OSBE-së, gjatë këtij viti t’i kushtojnë vëmëndjen e duhur rajonit të Ballkanit Perëndimor në funksion të mbizotërimit të frymës së bashkëpunimit dhe të dialogut.

Të nderuar të pranishëm,

Sot bota ka nevojë për më shumë diplomaci, bashkëpunim e dialog. Diplomacia nuk është opsion, është domosdoshmëri që lind nga nevoja për një botë të paqtë e të sigurt.

Unë besoj se paqja, bashkëpunimi dhe shpresa për një të ardhme më të mirë, duhet të jenë lajtmotivet tona gjatë këtij viti.

Me shpresën se paqja, siguria dhe bashkëpunimi do të jenë orientimi i komunitetit botëror në qasjen ndaj sfidave të reja, ju uroj vendeve, popujve dhe organizatave tuaja tuaj, një vit të mbarë e të begatë!

Të bashkëpunojmë intensivisht që sfidat t’i kthejmë në mundësi reale zhvillimi, mirëqenieje dhe solidariteti. Të përkushtohemi për një të ardhme ndryshimesh konkrete e shpresash që bëhen realitet, si mundësi frymëzimi për brezat e rinj.

Mbetem i gatshëm që këtë vit të vijojmë më intensivisht bashkëpunimin për të promovuar mesazhin e paqes, solidaritetit dhe shpresës.

Ju faleminderit!

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...