28.8 C
Pec
E shtunë, 13 Korrik, 2024

Begaj: Jetike që Rusia e Ukraina të bashkëjetojnë paqësisht në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht

Samiti i Paqes që po zhvillohet në Zvicër është i rëndësishëm për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, një tragjedi njerëzore së cilës duhet t’i jepet fund. Ky është mesazhi i Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, nga Zvicra.

“Është përgjegjësia jonë të hapim rrugën drejt paqes, duke siguruar që çdo hap t’i largohet luftës dhe konfliktit. Agresioni rus është një shkelje flagrante e parimeve themelore të Kartës së OKB-së, një shkelje e hapur e ligjeve ndërkombëtare dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian e më gjerë”, tha Begaj në fjalën e tij.

“Sfida jonë është monumentale – të zhvillojmë një kuadër për një marrëveshje të ardhshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë. Është jetike që këto shtete të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore brenda kufijve ndërkombëtarisht të njohur”.

Begaj shtoi se Shqipëria e ka dënuar fuqishëm agresionin rus dhe ka një qëndrim të qartë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

“Shqipëria e konsideron formulën e paqes të Presidentit Zelenski si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë e të qëndrueshme për Ukrainën. Çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën derisa të arrihet paqja, në përputhje me Kartën e OKB-së, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe duke përfshirë edhe përgjegjësinë për veprimet e Rusisë”, tha Begaj.

“Rruga drejt paqes nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi. Ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona. Ndërsa kërkojmë një zgjidhje, duhet të sigurojmë që mbështetja për Ukrainën të vazhdojë. Ne jemi mbledhur këtu jo për të detyruar, por për të inkurajuar, jo për të imponuar, por për të propozuar rrugë drejt paqes, të cilat respektojnë interesat dhe integritetin e të gjithëve. Së bashku, le ta transformojmë shpresën e sotme në paqen e së nesërmes!”.

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...