Qeveria e Belgjikës po e eksploron mundësinë që ta zgjerojë kapacitetin e burgjeve të saj edhe jashtë vendit dhe Kosova, po shqyrtohet si një opsion i mundshëm, siç shkruan agjencia belge e lajmeve, Belga.
Ministrja e Drejtësisë, Annelies Verlinden konfirmoi se diskutimet me Kosovën janë në zhvillim, megjithëse po shqyrtohen edhe vende të tjera.
Qeveria federale belge po vlerëson nëse do të marrë me qira apo të ndërtojë objekte të reja burgimi në një vend tjetër europian për të strehuar shtetas të huaj që i vuajnë dënimet në Belgjikë. Kjo nismë, e përfshirë në marrëveshjen e koalicionit, synon ta adresojë çështjen e mbipopullimit në burgje dhe të sigurojë zbatimin më efektiv të dënimeve.
Verlinden i tha parlamentit të mërkurën se Kosova është një opsion serioz. Megjithatë, ajo theksoi se përshtatja e objekteve me standardet europiane do të kërkonte kohë. Kostoja e një marrëveshjeje të ngjashme për Belgjikën do të ishte 202 milionë euro për dhjetë vjet.
Danimarka tashmë ka arritur një marrëveshje me Kosovën në vitin 2022 për të marrë me qira 300 qeli burgu.
Ministrja Verlinden tha se diskutimet tashmë janë duke u zhvilluar me departamentet federale të Migracionit dhe Azilit për ta përshpejtuar transferimin e të burgosurve të huaj. Ajo gjithashtu theksoi përpjekjet më të gjera për të riatdhesuar shtetas të huaj të dënuar, duke përfshirë vizita diplomatike të planifikuara në Marok, Algjeri, Tunizi dhe Shqipëri për të forcuar bashkëpunimin mbi kthimin e të dënuarve.
Propozimi për Kosovën është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta luftuar krimin e organizuar dhe mbipopullimin e burgjeve të Belgjikës. Aktualisht, burgjet atje mbajnë rreth 13,000 të burgosur, megjithëse kapaciteti zyrtar është 11,040.
Planet e Verlinden përfshijnë gjithashtu mbajtjen e hapur të burgjeve të vjetra për një kohë më të gjatë, shtimin e qelive të përkohshme modulare dhe përmirësimin e sigurisë në burgje për të frenuar aktivitetet kriminale brenda tyre./Njeshi/