Partia Demokratike ka mbajtur sot 8 shkurt 2025, protestën e saj kombëtare, ku mijëra e mijëra qytetarë i’u bashkuan thirrjes së kryetarit të demokratëve, Sali Berisha për të dalë në shesh kundër luksit të Edi Ramës, shishes së verës 33 mijë dollarëshe që ai pi çdo ditë në ‘Kopshtin e Edenit’ në kryeministri.
Duke folur në këtë protestë madhështore të mbajtur në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, kryetari i Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen kundër të keqes që ka kapur Shqipërinë prej 12 vitesh.
Lideri i demokratëve Sali Berisha, e nisi fjalën e tij me një falënderim dhe përgëzime për të gjithë qytetarët, demokratët dhe opozitarët që i janë bashkuar kauzës së kësaj proteste. Berisha kujtoi momentet e kaluar, duke përmendur protestën e 20 shkurtit dhe si opozita ka arritur të mbijetojë dhe të forcohet edhe në kushtet e represionit. Ai theksoi se opozita është e pamposhtur dhe se ajo do të vazhdojë të mbrojë vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Berisha nënvizoi se PD është më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë, duke e konsideruar betejën me qeverinë si një luftë për liri dhe drejtësi.
Gjatë fjalës së në protestën kombëtare para Kryeministrisë, Berisha u shpreh me vendosmëri dhe forcë për sfidat që po kalon opozita dhe populli shqiptar. Ai theksoi se asnjëherë nuk kanë marrë asgjë si dhuratë, por gjithçka e kanë merituar përmes betejës dhe sakrificës. Berisha e ngriti qëndrimin e opozitës si të pamposhtur, duke sfiduar krimin dhe sistemin e drejtësisë të kontrolluar nga qeveria.
Ai përmendi përpjekjet e pushtetit për të shkatërruar opozitën, duke i cilësuar ato si përpjekje të dështuara për të frikësuar popullin opozitar, të cilin ai e quajti të vendosur dhe të pathyeshëm. Lideri i PD gjithashtu nënvizoi angazhimet ndërkombëtare të partisë dhe fokusi i tij për të pasur një Shqipëri pa krim dhe pa eksporte refugjatësh, duke e shoqëruar këtë me një zotim të fortë për të luftuar pa kompromis krimin dhe korrupsionin.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, theksoi gjatë fjalës së tij, se Shqipëria po përballet me censurën e imponuar nga Edi Rama, e cila ka mbuluar të vërtetat që qeveria dëshiron të fshehë. Ai ngriti shqetësimin për censurimin total të tri rezolutave ndërkombëtare dhe të intervistës së Arben Ahmetajt, i cili ka denoncuar lidhjet e qeverisë me krimin dhe pasuritë e paligjshme.
Berisha përmendi akuzat konkrete për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve, duke përfshirë vjedhjen e 130 milionë eurove dhe shndërrimin e institucioneve në shërbim të interesave të Edi Ramës dhe bandave kriminale. Ai gjithashtu paralajmëroi për pasojat e dosjes McGonigal, e cila sipas tij do të shndërrohet në fundin politik të Ramës. Berisha e përshkroi këtë situatë si një luftë të pandalshme për të mbrojtur Shqipërinë nga korrupsioni dhe tirania.
Në këtë protestë kombëtare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publike edhe pikat kryesore të programit qeverisës me të cilin demokratët do të dalin fitues në zgjedhjet e 11 majit dhe do të ndryshojnë Shqipërinë.
Berisha theksoi se ky nuk ishte një miting elektoral, por një angazhim për të drejtat dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ai shprehu krenarinë për programin e partisë, i cili sipas tij ka tmerruar Edi Ramën dhe ka ekspozuar mashtrimet e tij të vazhdueshme.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestë, Berisha akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij, për trajtimin e pensionistëve dhe premtimet e pambajtura, duke theksuar se pas 11 majit, pensionistët do të kenë rritje të konsiderueshme dhe mundësi për të marrë mbrapsht TVSH-në për blerjet e ushqimeve. Po ashtu, ai premtoi rritje të pagave dhe një sistem tatimor më të drejtë për bizneset, duke siguruar se taksat dhe tarifat për bizneset e vogla do të ulen ndjeshëm. Sipas tij, ky program është një dënim për çdo mashtrim të bërë nga qeveria dhe një garanci për një të ardhme më të mirë për shqiptarët.
Shqipëria është në emergjencë dhe se ndryshimi i saj do të vijë me shpejtësi, tha kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën madhështore para kryeministrit. Berisha premtoi se demokratët do të çlirojnë shqiptarët nga skamjet dhe mjerimi, duke siguruar se ferma dhe pronarët do të marrin subvencionet dhe shpërblimet që meritojnë.
Berisha u shpreh se modeli i vjedhjes dhe kleptokracisë do të zëvendësohet nga një model që do të ketë qytetarin dhe interesat e tij në qendër. Ai theksoi se fitorja është e mundur vetëm nëse të gjithë angazhohen dhe punojnë për të, duke rikujtuar se fitoret e mëparshme janë arritur edhe në kushtet më të vështira. Sipas Berishës, ndërhyrjet e forta ndërkombëtare, si të presidentit Donald Trump dhe desorosifikimi i vendit, do të çojnë në një ndryshim të thellë për Shqipërinë, ku vlerat kombëtare dhe familja do të jenë në epiqendër.
Në mbyllje të fjalës së tij në protestës kombëtare të 8 shkurtit 2025, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për një angazhim të mëtejshëm të çdo shqiptari për fitoren përfundimtare të opozitës më 11 maj.
Ai ftoi të gjithë partitë politike që e konsiderojnë veten opozitare, si dhe socialistët e ndershëm, të bashkohen për të luftuar kundër regjimit të Edi Ramës, duke ofruar një program që e konsideroi të dobishëm për të gjithë shqiptarët, me përparësi në liri, të drejtat e njeriut, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe modernizimin e shërbimeve. Berisha gjithashtu apeloi për mobilizim të elektoratit gri, duke nënvizuar se heshtja është një aleatë e diktaturës dhe se duhet të veprohet për të larguar regjimin e Edi Ramës, i cili sipas tij ka kryer gjenocid të butë ndaj shqiptarëve.
Lideri i demokratëve e përfundoi fjalën e tij, duke premtuar fitoren e madhe të opozitës më 11 maj, duke garantuar se me punë, vizion dhe mbështetje nga populli dhe miqtë ndërkombëtarë, Shqipëria do të ndryshojë për mirë./Njeshi/