Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngritur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara shqetësimin për sulmet kibernetike që kanë prekur vendin, duke theksuar se Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të ashpër nga Irani.
Rama deklaroi se sulmi tregoi qartë sa e rrezikshme mund të jetë teknologjia e avancuar nëse përdoret për qëllime të këqija.
“Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të ndërtojë një sistem ku përfitimet e teknologjisë digjitale të maksimizohen, ndërsa ndikimet negative të përdorimit të saj dashakeq të frenohen.
Më tej, kreu i qeverisë shqiptare theksoi përparimet teknologjike të vendit, duke nënvizuar se Shqipëria po përdor Inteligjencën Artificiale për të përshpejtuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai vuri në dukje se 95% e shërbimeve publike në Shqipëri ofrohen online, duke eliminuar nevojën për radhët e gjata në sportele.
“Ne po shfrytëzojmë përparësitë e Inteligjencës Artificiale për të çuar përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian,” tha Rama, duke shtuar se vendi po shqyrton ndërtimin e një modeli të ri për prokurimet publike, ku 95% e procesit do të bazohet në Inteligjencën Artificiale, duke garantuar transparencë të plotë./Njeshi/