18.2 C
Pec
E enjte, 23 Maj, 2024

​Bie nataliteti në Kosovë, qeverisë i kërkohet ta ketë prioritet shtimin e popullsisë

Mbi tre mijë foshnje më pak kanë lindur në Kosovë gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2021. Faktorët financiarë, karriera, përvojat e mëparshme në rritjen e fëmijëve dhe migrimi i popullsisë, po konsiderohen të jenë ndër arsyet që prindërit të bëjnë më pak apo fare fëmijë.

Rënia e numrit të lindjeve po vlerësohet të jetë një nga brengat dhe problemet më të mëdha për Kosovën, gjatë viteve të ardhshme në aspektin ekonomik. Ekonomistët thonë se ky trend shkakton rënie të fuqisë punëtore, e që qon në uljen e të ardhurave.

Por kjo dukuri nuk po konsiderohet si negative nga sociologët. Sipas tyre, kjo tregon se njerëzit janë vetëdijesuar dhe emancipuar për planifikim familjar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dërguar për KosovaPress, del se 3 mijë e 173 lindje më pak janë kryer në vitin 2023, në krahasim me vitin 2021. Ndërkaq, vërehet një rritje e lehtë e numrit të lindjeve gjatë viti të kaluar, krahasuar me vitin 2022.

“Në vitin 2021janë 44 mijë e 11 lindje, më 2022 janë 40 mijë e 517 dhe në vitin 2023 janë 40 mijë e 838 lindje”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MPB.

Nëna e një djali pesë vjeçar, e cila ka dashur të mbesë anonim, për KosovaPress, thotë se nuk dëshiron të bëjë më fëmijë. Fakti se është në marrëdhënie pune, me gjendje ekonomike jo të mirë, sipas saj, ndikuan që ajo ta marrë këtë vendim.

“Unë jam e martuar dhe e kam një djalë, i ka mbushur pesë vjet. Nuk mendoj të bëjë më shumë fëmijë, si më parë që i kanë bërë nga shtatë e tetë fëmijë, dhe kushtet i kanë pasur shumë të dobëta. Këtë djalë e kam dhe dua t’ia plotësoj kushtet dhe ta rris në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk mendoj se kisha mundur ta edukoj si duhet, dhe t’ia ofroj më të mirat e mundshme, nëse kisha pasur më shumë fëmijë, duke e marrë parasysh gjendjen ekonomike, por edhe faktin që punoj. Tash ndoshta edhe keq me thënë, por çka nuk po ndodh me martesa, sot je mirë, nesër mundesh me pas mosmarrëveshje dhe me ardhë deri të ndarja, e kjo ndikon edhe tek fëmija”, thotë ajo.

Ndërkaq, Rexhep Kaçandolli, babai i pesë fëmijëve, e quan gabim vendimin e të rinjve për planifikim të vogël familjar. Sipas tij, tradita për lindjen e më shumë fëmijëve duhet vazhduar, në mënyrë që “të shtohet popullata”.

“Sa i fëmijë i keni? Pesë…Çfarë mendoni për të rinjtë tani, që nuk po krijojnë familje më të madhe? Gabim, se duhet të shtohet popullata…Iu kisha thënë ta mbajnë traditën tonë të moçme e të bëjnë fëmijë sipas mundësive”, shprehet Kaçandolli.

Profesori i ekonomisë, Florin Aliu thekson se rënia e natalitetit është një problem me të cilin po përballen edhe vendet e Bashkimit Evropian, për çka shton se kjo çështje duhet të jetë prioritet i qeverisë.

Ai thotë se në 10 vitet e ardhshme mund të kemi rënie të fuqisë aktive punëtore dhe rritje të njerëzve në pension. Sipas tij, kjo ndikon në rritjen e taksave, uljen e të ardhurave dhe demotivimin për punë.

“Në rastin e Kosovës, unë mendoj që në këto momente nataliteti, nëse e trajtoj në raport me fuqinë punëtore, të ardhmen kjo mundet me qenë një ndër brengat dhe problemet kryesore, për arsye se, ndoshta tash nuk vërehet ende. Mirëpo, në 10 vitet e ardhshme mund të vijë një moment ku gjendemi sikurse vendet e Bashkimit Evropian, ku shumë pak persona janë në forcën aktive punëtore, ndërsa shumë më shumë njerëz janë në pension.

Kjo barrë më pas transferohet tek njerëzit që janë në punë. Si transferohet kjo? Duke i taksuar ata më shumë, e taksimi është problem sepse t’i ulë të ardhurat. E dihet që ulja e të ardhurave e demotivon personin për të punuar. Motivimi për punë është baza e zhvillimit…Nataliteti në njërën anë dhe migrimi në anën tjetër, janë dy fenomene që ndoshta duhet me qenë në kuadër të prioriteteve të qeverisë”, thekson Aliu.

Ndërkaq, njëjtë nuk mendon sociologu, Genc Xërxa. Ai për KosovaPress, thotë se tashmë qytetarët janë emancipuar dhe vetëdijesuar për të mos bërë lindje të pa kontrolluara.

Sipas Xërxes, kjo dukuri nuk është negative dhe se prindërit planifikimin familjar e bëjnë sipas mundësive dhe rrethanave.

“Kjo tregon një lloj emancipimi, vetëdijesimi të rinisë. Kemi planifikim familjar, nuk janë lindjet e pa kontrolluara siç kanë qenë më herët. Pra, planifikimi familjar i bie zvogëlim i lindjeve, ashtu që duke e ditur koston e jetës, shtrenjtimet, sa mund nevojitet për ta rritur një fëmijë, ashtu që me arsimimin dhe edukimin sa më shumë të shoqërisë tonë po vijnë në përfundim që këto lindjet të jenë të kontrolluara dhe të planifikuara. E që kjo domosdoshmërisht ndikon edhe në zvogëlimin e natalitetit.

Pastaj, kemi edhe migrimet, lëvizjen e popullsisë, kemi edhe një numër të popullsisë që lëvizin, janë jashtë. Pra, edhe kjo është një indikator apo faktor që ndikon në zvogëlimin e natalitetit…Nuk mendoj që është negative, cikli i proceseve natyrore e bën të vetën, ku kemi ardhur në një stad të shoqërisë ku kanë filluar të vetëdijesohen dhe planifikimi familjar bëhet sipas mundësive dhe rrethanave”, thotë Xërxa.

Përkundër se Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2021, ka marrë vendim për të subvencionuar fëmijët dhe nënat lehona, nataliteti ka shënuar prapë rënie.

Sipas vendimit të marrë nga Ministria e Financave për subvencione, fëmijët që kanë lindur nga 1 janari i vitit 2020, përfitojnë ndihmën prej 20 euro. Ndërsa, për ata që kanë lindur nga viti 2018 e tutje, deri në moshën 16 vjeçare marrin nga 10 euro në muaj.

Me këtë subvencionim, lehonat e papunësuara marrin nga 170 euro për gjashtë muaj, derisa lehonat e punësuara për tre muaj marrin të njëjtën shumë.

Ndërkaq, është raportuar se gjatë viteve të fundit, edhe Shqipëria e Maqedonia po përballen me trendin e rënies së natalitetit. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...