Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në njëvjetorin e sulmit në Banjskë, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit të vitit të kaluar tentoi të cënonte rendin ligjor dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, akti agresor e terrorist, u përball me rezistencën e denjë dhe profesionale të Policisë së Kosovës.
“Lavdi për Afrim Bunjakun dhe të gjithë heronjtë e Kosovës”, ka shkruar mes tjerash Bislimi.
Postimi:
Sulmi paramilitar serb i 24 shtatorit të vitit të kaluar, tentoi të cenonte rendin tonë ligjor e kushtetues, sovranitetin e integritetin territorial. Ky akt agresor e terrorist, u përball me rezistencën e denjë dhe profesionale të Policisë sonë, e ku heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur shtetin e Republikën tonë. Shërbeu me nder e përkushtim, deri në vetëflijimin heroik.
Veprës së tij, i jemi mirënjohës përherë si komb, e për këtë do ta nderojmë për jetë e mot. Emri i tij u ngulit me shkronja të mëdha sot në veriun e vendit tonë, ku përmes vendimit të mbrëmshëm të mbledhjes së 221-të të Qeverisë, në Banjskë të Zveçanit u vendos tabela e rrugës që mban emrin Afrim Bunjaku.
Kjo është rruga e Republikës së Kosovës, është rruga e Afrim Bunjakut, rruga e familjes së tij, rruga e të gjithë neve. Është rruga që na përkujton sakrificën e tij, që na udhëheq drejt parimeve të drejta e liridashëse, që na frymëzon për atdhedashuri.
Lavdi për Afrim Bunjakun dhe të gjithë heronjtë e Kosovës./Njeshi/