Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë se po legjitimon siç u shpreh ai “praktikat e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë”.
Në një postim në X, Bislimi u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për qytetarin Safet Demiri, legjitimon praktikat diskriminuese që prekin adresat e shqiptarëve.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për Safet Demirin legjitimon praktikat diskriminuese të pasivizimit të adresave që synojnë shqiptarët. Ky vendim shkel të drejtat themelore të njeriut dhe tregon pse shqiptarët nuk kanë besim në sistemin gjyqësor dhe ngurrojnë të nisin procese ligjore”, ka shkruar Bislimi.
Sipas Bislimit, interpretimi diskriminues i të drejtave të shqiptarëve ilustron mungesën e demokracisë dhe të drejtave të pakicave në Serbi.
“Këto citime nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese janë shembulli perfekt se si gërryhen të drejtat e shqiptarëve përmes interpretimeve të padrejta e diskriminuese, duke treguar mungesën e demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave të pakicave në Serbi”, ka shkruar Bislimi. /Telegrafi/
1/2 Serbia’s Constitutional Court decision on Safet Demiri legitimizes the systematic discriminatory practice of address passivation targeting Albanians. It violates fundamental human rights, proves why Albanians don’t trust the system & are reluctant to start judicial processes.