20.7 C
Pec
E premte, 12 Gusht, 2022

Bislimi: E çuditshme, Borrell ndryshoi letrat që na dërgoi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka treguar detaje të tjera të situatës së krijuar lidhur me zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat, që shkaktoi reagimin e serbëve në veri të Kosovës, të dielën e kaluar.

Bislimi deklaron se Kosova i është përgjigjur letrës së Josep Borrell, Përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, duke ia sqaruar se fushata informuese për qytetarët serbë të Kosovës, ka ekzistuar dhe ku pothuajse çdo qytetar është informuar për masën.

“I treguam (Borrellit v.j) se mund ta diskutojmë pastaj mundësinë e shtyrjes edhe për një muaj që të akomodohet kjo brengë e tij. Ndërkaq për dokumentin hyrje/dalje kemi treguar që në fakt nuk kemi nevojë për fushatë informuese meqë kjo masë nuk u vendoset qytetarëve të Kosovës, por u vendoset qytetarëve të Serbisë që futen në Kosovë dhe nuk ka nevojë për kurrfarë masa përgatitore nga këta qytetarë, meqë ata nuk duhet të tregojnë diçka apo të japin diçka për dorëzim, por marrin dokument, që do të thotë serbët e veriut nuk preken nga ky vendim”, tha Bislimi në intervistë për RTK-në.

Bislimi shpjegon se Brukseli zyrtar ka pasur krejtësisht  brengë artificiale.

“Siç duket zoti Borrell nuk ka qenë i kënaqur me këtë përgjigje. Pastaj kemi pasur vizitë nga Hovenier, që unë mendoj se ka qenë vizitë shumë qëllim mirë dhe ka dashur që ta zbehë ketë angazhimin jo parimor të Bashkimit Evropian. Aty është thanë që në asnjë rast bashkësia ndërkombëtarë nuk kërkon rishikimin e masave”, shpjegon Bislimi.

“Bashkësia ndërkombëtare është plotësisht e vetëdijshme që Kosova plotësisht ka të drejtë dhe është duke zbatuar masat që veç kanë qenë të dakorduara, që Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e saj në këtë rast, por që duhet t’i marrim edhe argumentin e fundit të palës serbe për rezistencë pasive”.

Duke shpjeguar këtë pjesë, Bislimi thotë se kur flitet për palën serbe, duhet bërë dallimin që të gjitha trazirat të cilat Vuçiq i inskenon, nëpër vendet e rajonit, i maskon nën idenë e revoltave të qytetarëve lokal.

“Tanimë është bërë e ditur për secilin që nuk ka revolta të qytetarëve lokal, por janë revolta të inskenuara dhe të orkestruara nga vet qendra në Beograd dhe nga vet Vuçiq”, thotë Bislimi, sipas të cilit, gjithashtu është kërkuar kjo periudhe 30 ditore, në mënyrë që pastaj edhe qytetarët  në veri të Kosovës të informohen saktë për manipulimet dhe instrumentalizimin që Beogradi po u bën atyre.

“Për informim të plotë, Borrell ka dërguar një shkresë në mëngjes, pak para nisjes së tij për në Kamboxhia. Por, ne kemi thënë që kjo shkresë që dërgohet përmes mjeteve të komunikimit jo zyrtare, duhet të zyrtarizohet, pra duhet të vijë në mënyrë zyrtare”, shpjegon zëvendëskryeministri Bislimi.

“Por pastaj kemi vërejtur diçka të çuditshme. Ka pasur dallime të mëdha mes formulimeve në shkresën e parë (jo zyrtare v.j)  dhe letrës zyrtare që e ka dërguar zoti Borrell”, thotë Bislimi.

“Ne  kemi një indice se pse ka ndodhë kjo, por ne do ta përdorim në momente të caktuara gjatë bisedimeve në Bruksel”, tha ai.

Më tej ai thotë se ky gabim mund të përkthehet ndoshta në një avantazh të Kosovës, pastaj në momente të caktuara.

Bislimi thotë se nga ky komunikim, nuk pasur më kontakte me Brukselin, përveç takimit që ka pasur kryeministri Kurti me Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Ka mundësi që kërkesa për impenjim edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ardhur pastaj nga Brukseli, por këtë ne nuk e dimë”, thotë Bislimi./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...