25.7 C
Pec
E premte, 19 Korrik, 2024

Bislimi takon Ndihmës Sekretarin e OKB-së, e njofton për avionët luftarakë serbë përreth kufirit me Kosovën

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenča.

Ndihmës Sekretari Jenča po zhvillon një tur ballkanik, ndalesë e radhës e së cilës është vendi ynë, ku do të qëndrojë në një vizitë dy ditore.

Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi atë me situatën në vend e rajon, objektivat e Qeverisë dhe të arriturat në tri vitet e fundit. Ai theksoi se vendi po avancon e zhvillohet me ritëm të shpejtë, pavarësisht barrierave me të cilat po përballemi. Sipas të dhënave më të fundit dhe nga ASK-ja, tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje ekonomike në nivelin 5.62%. Edhe projeksionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, si dhe rankimet ndërkombëtare të Kosovës në shumë fusha, qëndrojnë si dëshmi e progresit të vendit tonë.

Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se rritja e BPV-së, rritja e punësimit, sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, janë synime qenësore për Qeverinë.

Në vijim, u diskutua dhe mbi procesin e dialogut, ku zëvendëskryeministri e njoftoi Ndihmës Sekretarin Jenča me zhvillimet e fundit, duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës sonë në këtë proces, i cili fatkeqësisht është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa tutje e zbatim të marrëveshjeve nga ana e palës tjetër.

Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se, fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit.

Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri e falënderoi z. Jenča për bisedën e zhvilluar, si dhe i dëshiroi qëndrim produktiv e të frytshëm në Kosovë./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...