Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të hyjë në koalicion paszgjedhor me asnjë parti opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-Nismën.
Në një deklaratë në Facebook, Bislimi theksoi se qeveria aktuale është e para që e ka përfunduar me sukses mandatin e saj dhe se synon të vazhdojë qeverisjen edhe për një mandat tjetër.
Ai u shpreh se qytetarët duhet të kenë qartësi të plotë para votimeve të 9 shkurtit dhe përmendi disa pika kryesore mbi qëndrimet e Vetëvendosjes për zgjedhjet e ardhshme.
Po ashtu, ai sqaroi se nuk do të ketë nevojë dhe as interes nga VV për të përfshirë ndonjë parti opozitare në qeverisje, duke paralajmëruar votuesit që të mos bien pre e mashtrimeve nga subjektet që pretendojnë ndryshe.
Bislimi gjithashtu theksoi se Vetëvendosje do të vazhdojë bashkëpunimin me partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, duke ftuar qytetarët e nacionaliteteve serbe, boshnjake, turke, rome, egjiptiane dhe ashkalie të mbështesin këto subjekte.
Ndërkohë, ai rikonfirmoi qëndrimin e prerë të Vetëvendosjes ndaj Listës Srpska, duke deklaruar se nuk do të ketë bashkëqeverisje me këtë subjekt apo me satelitët e saj politikë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin partnerët e qeverisë dhe të ndëshkojnë me votë ata që, sipas tij, ia dorëzojnë mandatet Listës Srpska pas zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2024./Njeshi/