Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se dislokimi i trupave të Koresë së Veriut përkrahë forcave ruse, që luftojnë në kufirin ukrainas, kërkon “përgjigje të vendosur”.
Blinken, tha se ka diskutuar me shefin e NATO-s, Mark Rutte, për faktin që forcat koreanoveriore janë “përfshirë në betejë, dhe tani, në luftime që kërkon dhe do të ketë një përgjigje të vendosur”.
Blinken u takua me Rutten në Bruksel, teksa administrata në largim e presidentit amerikan, Joe Biden, po tenton të çimentojë mbështetjen për Ukrainën, para se republikani Donald Trump të marrë detyrën e presidentit.
Pas fitores në zgjedhjet presidenciale, Trump është zotuar se do të ndalë luftërat në Ukrainë dhe Lindje të Mesme.
Gjatë adresimit për media, Rutte tha se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk duhet të lejohet që të jetë i suksesshëm në Ukrainë.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Së fundi, inteligjenca e SHBA-së, ajo e Koresë së Jugut, e NATO-s dhe Ukrainës kanë konfirmuar se Koreja e Veriut ka dislokuar në Kursk të Rusisë trupa për ta ndihmuar Moskën në luftën kundër shtetit fqinj.
SHBA-ja ka thënë se në Kursk – që ndodhet në kufi me Ukrainën – gjenden afër 10.000 trupa të Koresë së Veriut, por Ukraina ka thënë se numri ka shkuar deri në 12.000.
Po ashtu, Rusia ka zhvendosur disa burime në rajonin kufitar të Kurskut për t’iu përgjigjur ofensivës që Ukraina nisi në gusht, pasi forcat ruse kanë hasur në vështirësi që të zmbrapsin trupat ukrainase. /Njeshi/