19.4 C
Pec
E martë, 23 Korrik, 2024

Blinken publikon Raportin Ndërkombëtar për lirinë fetare në Kosovë, theksohet mbështetja e SHBA-së për tolerancën ndëretnike

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka publikuar Raportin Ndërkombëtar të Lirisë Fetare për vitin 2023, që mbulon statusin e lirisë fetare në gati 200 vende dhe territore dhe thekson politikat e SHBA-së që promovojnë lirinë fetare në mbarë botën.

Ambasada amerikane në Prishtinë e ka publikaur raportin për secilin shtet, ku përfshihet edhe Raporti për Kosovën.

Theksohet në raport se Kushtetuta e Kosovës ndalon diskriminimin fetar dhe parashikon lirinë e fesë, duke iu nënshtruar kufizimeve për të garantuar rendin, shëndetin dhe sigurinë publike ose për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve.

Në raportin për vitin 2023 theksohet se në muajin mars të 2023-tës, qeveria i paraqiti legjislaturës kombëtare propozime për amendamentet e ligjit për lirinë fetare që do të lejonte grupet fetare të fitonin statusin ligjor; Kuvendi, thuhet aty, nuk ndërmori asnjë veprim për to gjatë vitit.

Në maj, policia përsëri pengoi klerikët e Kishës Ortodokse Serbe të kryenin një shërbim në kishën e kontestuar Krishti Shpëtimtar në Prishtinë.

“Disa shkolla vazhduan t’u mohojnë aksesin vajzave muslimane të veshura me hixhab, duke përmendur rregulloret e qeverisë”, thuhet mes tjerash.

Zyrtarët komunalë dhe qeveritarë përsëri dështuan në zbatimin e vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme që i njihnin Manastirit të Deçanit pronësinë e tokës pranë manastirit.

Në maj, presidentja Vjosa Osmani tha se zbatimi i vendimeve të mëparshme të gjykatave në lidhje me pronën e kontestuar të manastirit “mund të krijojë një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm”.

Në tetor, thuhet në raport, qeveria dëboi një anëtar klerik në Maqedoninë e Veriut për shkelje të paspecifikuara të Ligjit për të Huajt. KOS tha se dëbimi ishte “brutal, arbitrar dhe jashtëgjyqësor”.

Në korrik, kryeministri Albin Kurti postoi në rrjetet sociale se Serbia po përdorte ambulancat për të “kontrabanduar armët në kishat ortodokse në Kosovë”. KOS tha se deklaratat e Kurtit “nxitën hapur intolerancën etnike dhe fetare.

Raporti vijon duke theksuar se në shtator, një grup i armatosur i serbëve etnikë sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, komuna e Zveçanit, duke vrarë një polic dhe duke plagosur dy të tjerë. Pasi sulmuan policinë, grupi hyri me forcë në Manastirin e KOS-it aty pranë Banjskës dhe luftoi me policinë prej andej për orë të tëra. Policia njoftoi se tre sulmues u vranë gjatë përleshjes. KOS-i e dënoi sulmin dhe u ankua për deklaratat publike nga zyrtarë qeveritarë, figura publike dhe media që pretendonin për bashkëfajësi të KOS-it.

Në shkurt, katër persona penguan një imam të kryente ritet fetare në xhaminë Halabak në komunën e Podujevës dhe sulmuan një person nga xhemati.

Në prill, një grup personash të paidentifikuar sulmuan imamin e fshatit Miradi e Epërme në Fushë Kosovë pas faljeve të përditshme. Përfaqësuesit e komunitetit hebre vunë re një rritje të konsiderueshme të gjuhës antisemitike në mediat sociale pas sulmit të Hamasit në Izrael në tetor, por kreu i komunitetit tha se “lajmet e rreme” ishin ndonjëherë shkaku. KOS deklaroi se disa nga incidentet që synonin pronën e saj, duke përfshirë një gjatë festave të Pashkëve Ortodokse, ishin të motivuara fetarisht dhe etnikisht. KOS tha se policia dështoi ose nuk ishte e gatshme të vepronte për vepra penale “me sfond fetar ose nacionalist”. Përfaqësuesit e policisë thanë se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore apo fetare i trajtojnë me prioritet dhe në përputhje me ligjet në fuqi.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës vazhduan të avokojnë me zyrtarët qeveritarë për miratimin e amendamenteve në ligjin për lirinë fetare që do të lejonte grupet fetare të fitonin status ligjor.

Në raport thuhet se ata gjithashtu u kërkuan zyrtarëve qeveritarë të respektojnë lirinë dhe pluralizmin fetar dhe të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin me grupet fetare.

Ambasadori, një zyrtar i lartë vizitor i Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë të ambasadës u takuan me zyrtarë qeveritarë për t’i nxitur ata që të zbatojnë vendimet Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme që urdhërojnë regjistrimin e pronësisë së tokës në Manastirin e Deçanit.

“Zyrtarët e ambasadës i kërkuan gjithashtu qeverisë që të mbajë teqenë e kërcënuar bektashiane (vendin e adhurimit sufi) në Prizren si një vend të mbrojtur historikikisht. Ambasada lëshonte shpesh mesazhe në shtyp dhe në mediat sociale në mbështetje të lirisë fetare”, thuhet tutje në raportin e Blinkenit.

Demografia fetare

Qeveria e SHBA-së, vlerëson popullsinë totale në 2.0 milionë (mesi i vitit 2023). Sipas regjistrimit të vitit 2011 (më i fundit), 95.6 për qind e popullsisë është myslimane, 2.2 për qind katolike romake dhe 1.4 për qind ortodoksë serbë, me protestantët, hebrenjtë dhe personat që nuk deklarohen në më pak se 1 për qind.

Politika dhe Angazhimi i Qeverisë së SHBA-së

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, thuhet në raport, dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës vazhduan të avokojnë me zyrtarë qeveritarë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe liderët e partive politike, për miratimin e ndryshimeve në ligjin për fenë.

“liri që do të lejonte grupet fetare të fitonin status ligjor. Ata u kërkuan gjithashtu zyrtarëve të qeverisë që të respektojnë lirinë dhe pluralizmin fetar dhe të rrisin komunikimin e tyre me grupet fetare. Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës u bënë thirrje zyrtarëve të pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë kryeministrin Kurti dhe ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, që të respektojnë ligjin për ZHV-të, veçanërisht në rastin e rrugës afër Manastirit të Deçanit”, thuhe tnë raporti.

Tutje thuhet se Hovenieri u angazhua me të gjitha nivelet e qeverisjes për të promovuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që urdhëronte regjistrimin e pronësisë së tokës në Manastirin e Deçanit.

“Ambasadori dhe zyrtarët amerikanë i kërkuan qeverisë dhe gjyqësorit që të zbatojnë vendimin pa vonesë dhe të mbajnë përgjegjës zyrtarët për moszbatimin e tij. Në maj, me rastin e shtatë vjetorit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Manastirit të Deçanit, ambasadori iu bashkua krerëve të misioneve diplomatike të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në një deklaratë ku i bëri thirrje qeverisë të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të truallit të manastirit. Në deklaratë theksohej se pavarësisht këtij vendimi ligjor dhe kërkesave të mëvonshme, vendimi i gjykatës ende nuk ishte zbatuar”, thuhet tutje në raport.

Në Raportin e vitit 2023 theksohet se ambasadori postonte rregullisht mesazhe në mediat sociale duke mbështetur tolerancën fetare dhe ndëretnike dhe duke dënuar aktet e dhunës ose veprimtarinë kriminale kundër grupeve apo siteve fetare.

“Në të gjitha vizitat dhe postimet përkatëse në mediat sociale, ambasadori rikonfirmoi mbështetjen për një Kosovë multietnike që respekton trashëgiminë e ndryshme fetare dhe kulturore dhe siguron lirinë fetare”, përfundon Raporti i sekretarit Blinken./Njeshi/

 

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...