Me debate të ashpra ka kaluar sot Mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë komunale të Pejës, në të cilën është diskutuar projekti ‘BOREA’.
Në mesin e debateve të ashpra ka qenë edhe ai në mes të Shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, në Asamblenë komunale të Pejës Drin Veselaj dhe kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxherit. Këtij të fundit, Veselaj i është drejtuar duke i thënë se me këtë projekt ka shkatërruar besimin dhe durimin e qytetarëve të kësaj komune.
‘Jemi mbledhur sot për të diskutuar një çështje që ka shkatërruar besimin dhe durimin e qytetarëve të kësaj komune – projektin Borea. Ky projekt i shumëpritur, që për vite të tëra u paraqit si shpresa e zhvillimit ekonomik dhe turistik, ka mbetur vetëm një ëndërr në letër. Pas gjithë këtyre viteve, është e qartë se dështimi i realizimit të këtij projekti është pasojë e paaftësisë dhe neglizhencës së kryetarit të komunës. Është e papranueshme që, për gjithë këto vite, nuk ka pasur asnjë përparim real, asnjë transparencë, asnjë përgjegjësi të marrë nga ana e juaj që udhëheqni këtë komunë. Është e qartë se përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi kryetarin e komunës dhe administratën tuaj. Ju keni dështuar në mënyrë të turpshme të përmbushin premtimet e tyre, keni shpërdoruar burimet dhe manipuluar pritjet e qytetarëve për përfitime politike. Ne nuk do të pranojmë më justifikime boshe dhe premtime të rreme! Për vite të tëra, kryetari i komunës ka pasur mundësinë të tregojë aftësi udhëheqëse dhe të realizojë projektin Borea, por ka dështuar me plotë kuptimin e fjalës. Kjo është një shenjë e qartë e mungesës së përgjegjësisë, vizionit dhe aftësisë për të drejtuar këtë komunë drejt një të ardhmeje më të mirë.’-tha Veselaj.
Tutje Veselaj ka kërkuar që përgjegjësia për dështimin të ketë adresë.
‘Si qytetarë të kësaj komune, nuk mund të qëndrojmë të heshtur. Kryetari i komunës është përgjegjës, dhe ne kërkojmë përgjegjësi të plotë. Kërkojmë veprim të menjëhershëm për të çuar përpara projektin Borea ose për t’u larguar nga detyra për t’i lënë vend dikujt që është i gatshëm dhe i aftë për t’u përballur me sfidat dhe për të punuar për të mirën e qytetarëve. Koha për pritje ka mbaruar. Koha për veprim është tani.’-shtoi Veselaj i AAK-së.
Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, i është përgjigjur asamblistit Drin Veselaj në lidhje me vendimet që lidhen me komunën e Pejës.
Ai theksoi se të gjitha vendimet për këtë komunë i merr vetëm ai, përveç ndonjë ndryshimi që mund të bëjë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Mjedisor dhe Infrastrukturës.
“Vetëm ndryshimi i ndonjë vendimi mundet të kryhet nga ministria, për të tjerat ky gjoks i ka pru krejt, çka u bo edhe çka ka për tu bërë të gjitha këto projekte. Vetëm hyn edhe lexo në rajon, si janë bërë para 12 apo 13 viteve, d.m.th ato nisin me kohë e pastaj shkojnë dhjetë apo 12 vite, për tu realizuar”, i është përgjigjur Muhaxheri.
Kryetari Muhaxheri ka vazhduar duke theksuar se projekti Borea nuk është politik dhe se nuk mund të ndryshohet tani, pasi kompetencat për të i takojnë MMPHI-së.
“Nuk desha ta bëj politikë por pasi po thoni jua tregoj emalin me çka është ndalu ky projekt, krejt kjo punë nuk është për politikë, por as këtë vendim s’mundem ta ndryshoj sepse këtë mund ta ndryshoj vetëm ministria”, përfundoi Muhaxheri.
Në përfundim, Muhaxheri theksoi se angazhimi për realizimin e projekteve në komunën e Pejës është në përputhje me rregullat dhe kompetencat e përcaktuara, duke shtuar se çdo ndryshim në vendim mund të bëhet vetëm nga Ministria përkatëse./Njeshi&Telegrafi/