Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell pas takimit me Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në konferencë për media tha se kanë diskutuar për çështjen e Kosovës dhe Serbisë.
Shefi i Diplomacisë Evropianë tha se shtetet anëtare të BE-së kanë nënvizuar shqetësimin dhe tensionet në veri të Kosovësk, derisa tha se kanë theksuar rëndësinë për shtensionim të situatës.
Borrell gjithashtu foli edhe për tre policët e liruar sot, teksa shtoi se BE ka mirëpritur këtë lajm.
“Shtetet anëtare kanë nënvizuar shqetësimin për tensionet në vazhdim në veri të Kosovës dhe kam cekur rëndësinë që palët të shtensionojnë situatën, e të bëhet në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të bërë më 3 qershor. Mirëpresim lirimin e tre policëve të Kosovës që janë mbajtur në Beograd. Shtetet anëtare do të marrin masa nëse duhet, për ta rritur levën e BE-së e për ta përkrahur dialogun për normalizim”, tha Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së tha se të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për zbatimin e obligimeve nga dialogu, dhe se shtetet anëtare do të marrin masa nëse nuk shihet progres.
Ai gjithashtu tha se pret nga palët që të kenë sjellje evropiane, dhe se ditët në vazhdim do të kontaktojnë si me Kosovën, poashtu edhe me Serbinë.
“Dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për t’i zbatuar obligimet nga dialogu. Shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme nëse nuk shihet progres. Është thënë se nga shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së presim sjellje evropiane. Në ditët në vijim do të vazhdojmë kontaktin me dyja palët. Por, shtetet anëtare janë të gatshme të jenë aktive e të na përkrahin në punën tonë”, ka thënë Borrell.
Borrell foli edhe për zgjedhjet në katër komunat veriore, teksa tha se janë pajtuar që ato të mbahen, dhe me pjesëmarjen e serbëve, pasi në të kundërt do të kemi situatë të njëjtë.
“Jemi pajtuar se nuk mund të kemi kryetarë në zyre të mbrojtur përgjithmonë nga forcat e NATO-s, kryetar me tre për qind të votave. Nuk është një zgjedhje e qëndrueshme. Duhet të zëvendësohen ata nëpërmjet zgjedhjeve, zgjedhje të reja. Për këtë janë pajtuar dyja palët, por duhet pjesëmarrja e serbëve, përndryshe do të kemi situatë të njëjtë”, ka thënë Borrell./Njeshi/