14 C
Pec
E enjte, 16 Maj, 2024

BQK-ja përmend efektet që thotë se i pati plani për zbatimin e rregullores që e largon dinarin

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar një listë të efekteve që thotë se i pati plani 10-pikësh për zbatimin e Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, i cili skadoi të dielën.

Banka Qendrore thotë se periudha tranzitore tremujore kontribuoi “në rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithëpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha”.

“Nga lista prej 10 pikash të Planit, BQK ka realizuar aktivitete në secilën prej tyre, duke filluar nga funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800 222 55), lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së dhe aktivitetit të intensifikuar promovues, deri te pikat tjera që kanë kërkuar angazhimin dhe kontributin e institucioneve financiare, për çka shprehim falënderimin”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Banka Qendrore përmendi “disa nga efektet” e këtij plani.

“Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare; Një (1) zyrë bankare/degë në Leposaviq; Një (1) zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq; Gjashtë (6) zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare: Një (1) në Leposaviq; Një (1) në Zveçan; Dy (2) në Graçanicë; Një (1) në Shtërpcë; Një (1) në Shillovë, Gjilan. Janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar; Janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking); Janë dhënë afër 11 milionë euro kredi”, thotë BQK-ja.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në nivel të kryenegociatorëve kushtuar kësaj teme, teksa në gjashtë takimet e mëhershme kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, nuk kanë arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Gjatë konferencës për media në Bruksel, duke folur për takimin e radhës për çështjen e dinarit, Stano tha se BE-ja pret që palët të dëshmojë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila sipas tij, do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

“Presim që palët të kenë sjellje evropiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra evropiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin i cili është i nevojshëm sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve”, tha Stano.

Rregullorja e BQK-së parasheh ndëshkime për ata që përdorin dinar serb. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi për transmetuesin publik të Kosovës se rregullorja e BQK-së ka për qëllim ligjshmërinë “dhe jo ndëshkimin dhe dënimin”/Njeshi/

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...