Ministri në dorëheqje i Financave, Hekuran Murati, tha se me votim të fshehtë Bundestagu Gjerman votoi për Kancelarin Friedrich Merz, gjë që do duhej të ndodhte edhe në Kosovë.
E lidhur me këtë, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim deklaroi se votimi i fshehtë për kancelarin gjerman Friedrich Merz është në përputhje me rregullat dhe se krahasimi me situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës është i pasaktë.
Përmes një postimi në Facebook, Cakolli shpjegoi se Merz u zgjodh kancelar përmes negociatave, pa ndryshuar procedurat ekzistuese.Ai vuri në dukje se në Kosovë, ndryshimi i votimit të hapur në favor të një votimi të fshehtë po konsiderohet vetëm për shkak të mungesës së marrëveshjes politike.
“Në Gjermani, votimi i fshehtë për kancelarin është një normë e përcaktuar qartë, jo një zgjidhje e çastit. Kancelari Merz fitoi përmes negociatave, pa modifikuar procedurat. Në Kosovë, përkundrazi, po përpiqemi të ndryshojmë votimin e hapur – që garanton transparencë – vetëm sepse nuk ka marrëveshje politike dhe mungojnë votat e nevojshme për kandidaten. Për më keq, ky ndryshim po bëhet mes procesit, gjë që është si të ndryshosh rregullat gjatë lojës,” shkroi Cakolli.
Prandaj, shtoi ai, krahasimi i situatës në Kuvendin e Kosovës me votimin për Merz në Gjermani nuk vlen!“Gjermania mund të shërbejë si shembull vetëm për arritjen e marrëveshjes politike ose për diskursin e fushatës”, u shpreh Cakolli./Njeshi/