14 C
Pec
E shtunë, 15 Mars, 2025

Çeku: Liria nuk është dhuratë! Mësuesi dhe luftëtari në shërbim të shkollës shqipe!

Historiani, Prof. Dr. Ethem Çeku – Prefekt i parë i Pejës së lirë, Ministër i AAK-së në disa Qeveri të pasluftës në Kosovë dhe dekan për vite i Fakultetit të Edukimit, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit dhe Mbylljes së Epopesë së Prekazit, ka bërë një ndërlidhje dhe ndërthurje mes dy ngajrjesh në këtë festë të dyfishtë kombëtare.

Çeku thotë se Dita e Mësuesit dhe kujtimi i sakrificës së Familjes Jashari bashkohen në një homazh të veçantë për të gjithë ata që, në kohë të errëta, mbajtën të gjallë dritën e dijes dhe shpirtin e lirisë.

Shkrimi i plotë:

‘Liria nuk është dhuratë!

Mësuesi dhe luftëtari në shërbim të shkollës shqipe

Dita e Mësuesit dhe kujtimi i sakrificës së Familjes Jashari bashkohen në një homazh të veçantë për të gjithë ata që, në kohë të errëta, mbajtën të gjallë dritën e dijes dhe shpirtin e lirisë. Historia jonë është një dëshmi e gjallë se liria nuk është dhuratë, por një arritje e përgjakshme dhe e dhimbshme, që kërkoi flijimin e shumë brezave.

Në kohë kur shkolla shqipe ishte e ndaluar dhe gjuha jonë përndiqej, mësuesit tanë u bënë luftëtarë të heshtur. Me libra të fshehur nën rroba dhe me përkushtim të palëkundur, ata u mësuan fëmijëve shkronjat e lirisë, duke i dhënë kuptim sakrificës dhe qëndresës sonë kombëtare. Mësuesi nuk ishte thjesht një përçues i dijeve, por ishte pararojë e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.

Rruga e shkollës shqipe është e shtruar me sakrifica të pafundme, që nga Rilindësit e deri te Luftëtarët e UÇK-së, të cilët mbrojtën me jetën e tyre të drejtën për arsim dhe për liri. Në këtë përvjetor, nderojmë mësuesin Shaban dhe të gjithë ata që, me pushkë a me penë, i dhanë kuptim kësaj të drejte të shenjtë. Rënia e tyre nuk ishte vetëm për lirinë territoriale, por edhe për lirinë e mendimit, për shkollën që u mbyll e u dogj, por që nuk u dorëzua kurrë.

Mirënjohja jonë shtrihet edhe për ata studiues shqiptarë dhe të huaj që, me përkrahjen e tyre të çmuar, mbajtën të gjallë idealin e arsimit në gjuhën shqipe. Sot, më shumë se kurrë, kemi për detyrë të nderojmë këtë sakrificë duke ruajtur shkollën shqipe nga ndikime që i shërbejnë interesave të ngushta dhe jo vlerave për të cilat u derdh gjak.

Kujtimi për Familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët duhet të na kujtojë se liria është më e madhe se interesat momentale a ndarjet e brendshme. Në këtë ditë të shenjtë, duhet të forcojmë përkushtimin për arsim cilësor dhe të lirë, për një shkollë që edukon mendje të lira dhe ndërgjegje të përgjegjshme.

Nder dhe respekt për Mësuesit, për Luftëtarët dhe për të gjithë ata që i dhanë jetë Shkollës Shqipe me sakrificën e tyre sublime. Le të mbajmë të gjallë amanetin e tyre duke ecur përpara me guxim, me mençuri dhe me përkushtim.’-shkruan Çeku./Njeshi&RADIO 1/

Ymeri: Gjasat që të kemi një qeveri të koalicionit të gjerë pa VV, janë të mëdha

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...