Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me mbështetjen e këtij të fundit për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Në reagimin e tij, Çeku deklaroi se sa herë që Rama “bën fort bërllok punën”, Abdixhiku del në mbrojtje të tij.Sipas ministrit, kjo ndodh jo vetëm për shkak të bashkëpunimit në “marifete të kundërligjshme”, por edhe për arsye elektorale, pasi të dy po përgatiten për një tjetër fushatë mashtruese në kryeqytet.
“Fakti që Lumir Abdixhiku po e mbron Përparim Ramën është në thelb mbrojtje e vetvetes, pasi ishte pikërisht ai që para katër vitesh solli arkitektin nga Londra dhe u tha qytetarëve ta votojnë për zhvillimin e Prishtinës,” tha Çeku, duke shtuar se “dështimi spektakolar i qeverisjes në Prishtinë është dështim i Lumirit.”
Çeku kritikoi ashpër narrativën që Rama dhe Abdixhiku, sipas tij, po tentojnë të imponojnë në opinionin publik, duke e paraqitur qeverinë si fajtor për mungesën e rezultateve në Prishtinë.“Me shumë zhurmues të sponsorizuar, po mendojnë se qytetarët do ta besojnë përrallën. Mbrojtjen e ligjshmërisë po tentojnë ta shesin si bllokadë politike,” shtoi ai.
Ministri theksoi se Ministria e Kulturës ka dorëzuar të gjitha provat për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të buxhetit të komunës në institucionet e drejtësisë, duke paralajmëruar se çdo vonesë në trajtimin e këtyre rasteve do t’i kushtojë rëndë buxhetit të kryeqytetit.
Duke iu drejtuar “propagandistëve”, Çeku sqaroi se për investimet në zona të mbrojtura ligji kërkon pëlqimin e autoriteteve të trashëgimisë kulturore – një detyrim që, sipas tij, vlen për të gjithë, përfshirë edhe vetë Ministrinë e Kulturës.
Ai përmendi gjithashtu projektin e sallës koncertale si shembull, ku komuna kishte respektuar procedurat dhe si rrjedhojë kishte marrë jo vetëm pëlqimin e ministrisë, por edhe mbështetje buxhetore prej dhjetë milionë eurosh.
Në fund, Çeku potencoi se Ministria e Kulturës dhe qeveria janë të përkushtuara për zhvillimin e Prishtinës dhe përkrahjen e projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve, por duke kërkuar respektim të plotë të ligjeve dhe procedurave.“Pse duhet të jetë kaq e vështirë përmbushja e detyrimeve ligjore?” përfundoi Çeku./Njeshi/