Disa deklarata diametralisht të kundërta janë bërë së voni në Bruksel dhe në Prishtinë sa i përket një çështjeje: tërheqjes ose jo të një letre që i ishte dërguar Bashkimit Evropian nga ish-kryeministrja serbe.
Emisari i BE-së tha se Serbia e ka tërhequr letrën, nëpërmjet së cilës kishte shprehur rezerva ndaj marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, e njohur si Marrëveshja e Ohrit.
Por, kryenegociatori kosovar tha se ndërmjetësi evropian ka dashur të thotë se blloku po punon për tërheqjen e shkresës.
Çështja e tërheqjes ose jo të një letre që Serbia ia ka dërguar Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën, është mbështjellë me mister, pas deklaratave kundërthënëse të bëra së voni nga blloku evropian dhe nga autoritetet kosovare, përderisa udhëheqja serbe nuk ka bërë asnjë koment konkret.