27.8 C
Pec
E enjte, 25 Korrik, 2024

Çfarë pritet nga takimi ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel

Pas disa muajsh, sot në Bruksel takohen kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell.

Analistët vendor nuk besojnë që ky takim do të sjell ndonjë epilog duke shprehur skepticizëm për arritjen e një përparimi të rëndësishëm, gjersa kritikojnë edhe qasjen e BE-së, se ndërmjetësi Miroslav Lajçak ka favorizuar kërkesat e Serbisë.

Analisti politik, Gazmir Raci, për Telegrafin ka thënë se sot do të duhej që përfundimisht Bashkimi Evropian të ofronte një plan sekuencimi të balancuar për zbatimin e planit franko – gjerman dhe aneksit të Ohrit, përndryshe, nëse nuk e bën një gjë të tillë, siç tha ai “edhe ky takim do të jetë i dështuar sikur gjitha takimet brenda këtyre tre viteve të fundit”.

Raci tha se ndërmjetësi Lajçak fatkeqësisht brenda këtyre tre vjetëve ka insistuar që të zbatojë vetëm kërkesën e Serbisë e që është themelimi i Asociacionit.

“E kanë ndëshku Kosovën me masa sanksionuese, edhe pse Kosova u sulmua nga grupi terrorist i Radoiçiqit i mbështetur nga Serbia. Në anën tjetër Serbia jo që nuk zbatonte marrëveshjen, ajo depononte edhe letra zyrtare kundër planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit me Bruksel dhe vazhdon të përkëdhelet, nuk ndëshkohet dhe po ec rrugën e saj pa pengesa nga ana e Bashkimit Evropian”, vlerësoi ai.

Ndër të tjera Raci kërkoi që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasje karshi Kosovës.

“Është hipokrizi e llojit vetë që të duhej urgjentisht Bashkimi Evropian ta ndryshonte këtë qasje, po kjo qasje mund të ndryshohet vetëm nga Komisioni i Ri i Bashkimit Evropian, që pritet të fillojë punën nga shtatori i këtij vitit… Në fund të fundit BE-ja nuk është me majtë anë, BE është me gjet zgjidhje për të dyja falet njëkohësisht”, tha ai.

Raci theksoi se nëse ky Komision i BE-së bashkë me përfaqësuesin Lajçak nuk gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët atëherë ky ndërmjetës dhe ky komision që po shkon, ka dështu në dialogun Kosovë-Serbi.

Edhe Arton Demhasaj në një prononcim për Telegrafin thotë se nuk beson që do të ketë ndonjë epilog më të mirë se sa në takimet tjera.

“Kemi që katër vite që kanë ndodh takimet, e po ashtu kanë ndodh dhe dy marrëveshje që janë dakorduar dhe janë pranuar, e në anën tjetër nuk kemi pas ndonjë vendim… nuk besoj që do të ketë ndonjë efekt ky takim në zbatim të pikave të caktuara të marrëveshjes. Duke u bazuar edhe në atë që ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që nuk pranon me implementu pjesën e marrëveshjes që mund të veprohet në mënyrë reciproke”, ka thënë Demhasaj.

Për takimin e sotëm, Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar agjendën, ku përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime ndaras me liderët dhe më pas do të ketë takim trepalësh, duke filluar nga ora 15:00.

Ndërkaq, takimi i fundit që patën zhvilluar kryeministri Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ishte në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar (2023).

Ndryshe, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), ka qenë një proces i gjatë dhe kompleks që synon të arrijë një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...