27.8 C
Pec
E martë, 18 Qershor, 2024

Çfarë u diskutua në Strasburg në ditën kur Kosova dështoi të anëtarësohej në KiE

Kosova më 17 maj humbi mundësinë që të bëhet anëtare e organizatës më të vjetër të Europës për të drejtat e njeriut në mesin e 46 kombeve europiane.

Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Europës u mblodhën sot në Strasburg në sesionin vjetor me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate ku diskutuan për çështje të caktuara. Kosova nuk hyri as në agjendë, ndërsa nuk dihet se kur do t’i vijë rendi përsëri.

Në hapjen e sesionit të 133-të të Komitetit të Ministrave ka folur Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, Marija Pejçinoviq Buriq, e cila foli mbi rëndësinë e të drejtave të njeriut, si dhe preku temën e luftës në Ukrainë.

“Dymbëdhjetë muaj më parë, liderët europianë u takuan në Reykjavík për Samitin tonë të 4-të të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive. Ishte një nga mbledhjet më të mëdha ndonjëherë të presidentëve dhe kryeministrave të kontinentit tonë dhe rëndësia dhe ndikimi i tij mbeten të qarta. Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Federata Ruse, ishte e drejtë – thelbësore – që liderët të vlerësonin se çfarë duhet bërë për të mbështetur më tej të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në kontinentin tonë”, ka thënë ajo.

“Duke pasur parasysh se këto vlera janë krijuar për të ofruar paqe dhe se refuzimi i tyre nga Rusia e ka rikthyer luftën nga historia në të tashmen. Deklarata e Rejkjavikut që rezultoi i dha Organizatës sonë idetë, energjinë dhe shtysën e nevojshme për të rikthyer prapambetjen demokratike që ekziston në të gjithë Evropën dhe për të ofruar ndryshime pozitive. Riangazhimi ndaj vlerave të Këshillit të Europës ishte vendimtar”, shtoi tutje ajo.

Sekretarja e Përgjithshme përsëriti rëndësinë e 10 Parimeve të Demokracisë së Rejkjavikut, “parametrat e vërtetë të shëndetit” për demokracitë europiane, sfidat e paraqitura nga kriza mjedisore, inteligjenca artificiale, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit etj.

Si pikë e parë e agjendës ishte një deklaratë e Presidencës së Komitetit të Ministrave me rastin e 75-vjetorit të Këshillit të Evropës.

Në fillim të deklaratës u tha se “në vitin 1949, kur Europa doli nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit vizionarë nënshkruan Statutin e Këshillit të Europës në Londër për të nisur projektin e një Europe të bashkuar të udhëhequr nga demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës”.

“Gjatë historisë sonë shtatëdhjetë e pesëvjeçare, shtetet anëtare kanë zhvilluar mekanizma efektivë bashkëpunimi që kulmuan me krijimin e një hapësire të përbashkët ligjore të pashembullt të bazuar në sistemin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sot, Këshilli i Evropës qëndron si organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut, duke bashkuar rreth 700 milionë njerëz dhe duke u mundësuar atyre të jetojnë me dinjitet në shoqëri të lira dhe demokratike, ndërkohë që i mban qeveritë e tyre përgjegjëse për respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Si pikë e dytë ishte tema për Ukrainën. Komiteti i Ministrave mori disa vendime, derisa përsëriti dënimin “në termat më të fortë të mundshëm të luftës në shkallë të plotë të vazhdueshme të agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës dhe të gjitha shkeljeve të supozuara serioze të ligjit ndërkombëtar që rrjedhin nga agresioni rus kundër Ukrainës, duke përfshirë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocid kundër civilëve ukrainas dhe robërve të luftës dhe të gjitha format e dhunës seksuale të lidhura me konfliktin dhe krimeve me bazë gjinore”.

Po ashtu, Komiteti riafirmoi angazhimin e tyre të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe përsëriti mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe solidaritetin me popullin e saj, siç pasqyrohet në ndihmën e dhënë nga Këshilli i Europës përmes një plani veprimi.

Më pas, rendin e kishte implementimi i Deklaratës së Rejkjavikut, e cila pasoi pikën për bashkëpunimin ndërmjet Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian.

Ndërkaq, në mbledhjen e Strasburgut, Këshilli i Europës ka miratuar traktatin e parë ndërkombëtar ligjërisht të detyrueshëm që synon të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe standardet ligjore të demokracisë në përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale (AI). Traktati, i cili është gjithashtu i hapur për vendet jo-europiane, përcakton një kuadër ligjor që mbulon të gjithë ciklin jetësor të sistemeve të AI dhe adreson rreziqet që ato mund të paraqesin, duke promovuar inovacionin e përgjegjshëm.

Pas kësaj, u diskutua transferimi i presidencës ndërmjet Lihtenshtajnit dhe Lituanisë dhe prioritete e kësaj presidence.

Gjithashtu, Komiteti i Ministrave ra dakord që dorëzimi i Kryesisë nga Lituania në Luksemburg të bëhet më 13 nëntor 2024, ndërsa u dakordua që sesioni i 134-të i Komitetit të Ministrave të mbahet në Luksemburg më 13 dhe 14 maj 2025.

Gjithashtu, udhëheqja e Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë u takuan në Strasburg në margjinat e Sesionit të 133-të të Komitetit të Ministrave/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...