Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të enjten ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Siç bën të ditur Chollet në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, theksoi se të gjitha palët duhet të shmangin veprimet provokuese në veri.
Tutje theksoi se zbatimi i Asociacionit do të hapë dyert për Kosovën, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke.
“Biseda e mirë me kryeministrin Albin Kurti pas takimit të negociatorëve. Theksoi se të gjitha palët duhet të shmangin veprimet provokuese në veri. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe zbatimi i Asociacionit do të hapë dyert për Kosovën, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke”, tha Chollet.
Në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë, që u mbajt më 2 maj, Ekipi Menaxhues për formimin e Asociacionit, ka paraqitur para palëve draftin e parë të statutit për themelimin e Asociacionit.
Ky draft është refuzuar nga pala kosovare.
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut.
Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit./Njeshi/
Good talk with PM @albinkurti after negotiators' meeting. Emphasized all parties should avoid provocative actions in north. Normalizing relations with Serbia via the EU-facilitated Dialogue & implementing the ASM will open doors for Kosovo, including eventual mutual recognition.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) May 18, 2023