4.1 C
Pec
E mërkurë, 29 Nëntor, 2023

Çiftet, në pritje të banesave të premtuara nga Kurti, qeveria tregon çfarë po ndodh me projektin

Alberti dhe bashkëshortja e tij, Arta, kanë shpresë se një ditë do të mund të sigurojnë një vendbanim të vetin në mesin e banesave që ka premtuar Qeveria e Kosovës për çiftet e reja.

Çifti, tash e një vit, jeton në një banesë me qira në Prishtinë.

“Nëse do të na mundësohej blerja e banesës sipas planit të Qeverisë, për ne do të ishte një zgjidhje jetësore”, thotë Alberti .

Qeveria aktuale e Kosovës, e cila është zgjedhur në mars të vitit 2021, ka premtuar ndërtimin e 4.000 njësive banesore.

Sipas programit të saj, familjet përfituese do të bëheshin pronare të banesave me këste mujore prej vetëm 120, respektivisht 150 eurosh në muaj, për një periudhë kohore prej 150 muajsh.

Përparësi do të kishin çiftet e reja, të cilat kanë mundësi të limituara financiare për të blerë banesa me çmime të tregut.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy vjet prej se ky premtim është bërë formal, ndërtimi i këtyre banesave nuk ka filluar.

Në Qeverinë e Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se kanë hartuar tashmë draftin e ri të projektligjit, sipas rekomandimeve të studimit të fizibilitetit për programin e banimit social adekuat për Kosovën.

Thonë, po ashtu, se gjatë muajit gusht synojnë “ta kompletojnë koncept-dokumentin, për të vazhduar më tutje me finalizimin e draft-ligjit”.

Por, nuk japin asnjë detaj se kur mund të nisë dhe përfundojë ndërtimi i banesave.

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare kanë nënshkruar një marrëveshje për studim të fizibilitetit për banim dhe kosto të përballueshme. Kostoja e ndërtimit për këtë projekt është thënë se sillet në rreth 200 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë asokohe se projekti do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti.

“Si Qeveri do ta bëjmë të pamundurën që projekti i planifikuar për ndërtimin e 4.000 njësive banesore, të realizohet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Kurti.

Ndërtimi i banesave do të bëhej në komunat më të mëdha: Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan.

Larg zbatimit të premtimit

Brahim Selimaj, pronar i një kompanie ndërtimesh në Kosovë, thotë se ndërtimi i 4.000 njësive banesore nuk mund të realizohet brenda mandatit të mbetur të Qeverisë.

“Në kushtet e Kosovës, kur duhet të pritet një apo dy vjet për një leje ndërtimi, është e pamundur të realizohet [ky premtim] në mandatin e parë [të Qeverisë]. Ndërtimi i 4.000 njësive banesore mund të zgjasë minimumi dy vjet. Ndërtimi mund të zgjasë edhe pesë vjet”, thotë Selimaj.

Për më tepër, shton ai, kostoja e ndërtimit ka shënuar rritje krahasuar me tre vjet më parë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se indeksi i tërësishëm i kostos së ndërtimit ka pësuar rritje për 3.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.

Çmimet në treg të patundshmërive

Rritje të çmimeve kanë pësuar pothuajse të gjitha produktet e konsumit.

Vitin e kaluar, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

Alberti, i cili punon në hoteleri në sektorin privat dhe paguhet rreth 500 euro në muaj, thotë se paguan 250 euro qira dhe se e ka të pamundur që me çmimet aktuale në treg, të blejë banesë.

“Me këto çmime të banesave sa sillen në treg, 1.000 euro metri katror, edhe 100 vjet nëse punoj në këtë punë, nuk arrij ta blej. Për një kredi, kësti mujor është 500 euro”, thotë ai.

Për një banesë të re në Prishtinë, varësisht lokacionit, blerësi duhet të paguajë nga 900 euro deri në mbi 2.500 euro për metër katror.

Çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren – rreth 85 kilometra larg kryeqytetit – ndërsa pak më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë.

Përfaqësues të agjencive të patundshmërive kanë thënë më herët për REL-in se nuk presin që çmimet e banesave të reja të shënojnë rënie gjatë këtij viti, marrë parasysh faktin se ato janë ndërtuar me material më të shtrenjtë.

Me planin e Qeverisë për 4.000 banesat e reja, çmimi i një banese prej 60 metrash katrorë do të sillej nga 18.000 euro deri në 22.500 euro/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...