15.3 C
Pec
E diel, 26 Maj, 2024

Cilat janë vlerat dhe kuptimi i Fitër Bajramit!

Në fenë islame kemi dy festa kryesore: Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin, apo thënë më saktë Bajramin e Kurbanit. Që të dyja na vijnë pas realizimit të dy shtyllave të fesë islame: pas përfundimit të muajit të madhërishëm Ramazan vjen Fitër Bajrami; kurse Bajrami i Kurbanit vjen pas përfundimit të ceremonive të Haxhit.

–         Ja pra, kaloi muaji i bekuar Ramazan, e neve na la duke marrë me vete veprat tona, të cilat shpresojmë të jenë përplot mirësi, dhe me to të jetë i kënaqur Krijuesi i gjithësisë.

–         Kjo ditë është ditë feste dhe ushqimi, ditë e furnizimit ndaj të varfërve, jetimëve, skamnorëve, dhe të atyre që nuk kanë përkujdesje.

–         Kjo ditë është dita në të cilën paraqitet agjërimi te Sunduesi i Plotfuqishëm, dhe ditë kur jepet shpërblimi i agjëruesve nga thesaret e të Gjithëmëshirshmit.

–         Kjo është ditë gëzimi, sepse ne e realizuam obligimin tonë, sepse ne e kemi ndërgjegjen e pastër para Zotit, sepse e ndiejmë në thellësinë e shpirtit se Allahu është i kënaqur me ne dhe me adhurimin tonë ndaj Tij.

–         Kjo është ditë gëzimi për shkak të vullnetit të fuqishëm. Është ditë gëzimi e ngadhënjimit të dëgjueshmërisë mbi padëgjueshmërinë, të mirësisë kundër të keqes, dhe mirësisë kundër mëkatit.

–         Kjo është ditë gëzimi, sepse ngadhënjen fisnikëria mbi koprracinë, falja mbi hakmarrjen, lidhja farefisnore mbi ndërprerjen e saj, dashuria mbi urrejtjen.

–         Prandaj, urime për atë që agjëroi, gëzime për atë që bëri ibadet gjatë netëve të Ramazanit, që lexoi Kuranin dhe e përmendi të Gjithëmëshirshmin. I gëzuar dhe i lumtur duhet të jetë ai që gjatë këtij muaji i dyfishoi veprat e mira, që dha Zekatin dhe sadakanë.

–         Dita e Fitër Bajramit është një ditë e festimit, e gëzimit e paqes dhe mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njëri-tjetrin.

Sot kemi kryer një obligim njëvjeçar, duke plotësuar numrin e ditëve të Ramazanit. Sot e falënderojmë Allahun si kurrë më pare, që na udhëzoi në rrugë të drejt, dhe që arritëm në Ditën e Bajramit, siç thuhet në Kuran:

Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi, dhe që të falënderoni.”

Festa e Bajramit na kujton një kuvend mbarëpopullor, ku mblidhen të gjithë besimtarët me të njëjtin qëllim, që ta adhurojmë Krijuesin dhe t’i shprehin falënderimin e t’i luten që mbi tokë të mbretërojë paqja, dashuria e respekti, mirëqenia e toleranca ndërnjerëzore.

–         Pas një muaj Ramazan, ku i kemi dhënë prioritet anës shpirtërore më shumë sesa asaj materiale-fizike, sot erdhi dita që për dy komponentët e përmendur të kujdesemi njësoj.

–         Pas një muaji agjërimi, pas një muaji që e kemi pasur të ndaluar ushqimin dhe pijet gjatë ditës, nga sot ato i kemi të lejuara deri në Ramazanin tjetër.

–         Allahu xh.sh. deri dje na e bëri të ndaluar të hamë dhe të pimë, ndërsa sot na e bëri të lejuar, dhe ne me përkushtim e respektojmë si njërën ashtu edhe tjetrën.

–         Dje ishte haram të mos agjërojmë, kurse sot është haram agjërimi.

–         Për kenë dje agjëruam, e për këtë sot nuk agjërojmë?

S’ka dyshim se për Allahun, Krijuesin e gjithësisë, Ligjdhënësin e Pandryshueshëm, ligji i të Cilit nuk ndryshon kurrë, sepse Ai në Kuran thotë:

“Dhe në ligjin e Allahut nuk do të gjesh ndryshim.”

Vërtet agjërimi ka një vlerë të madhe dhe një shpërblim të veçantë, e në këtë ditë ndahen shpërblimet e pakufishme të agjërueseve. Në lidhje me këtë transmetohet nga Ebu Hurejreja r.a., se me të vërtetë Pejgamberi a.s. ne një hadith Kudsij thotë: “Thotë Allahu xh.sh.: “Çdo vepër e pasardhësve të Ademit është për ta, përveç agjërimit, e ai (agjërimi) është për Mua, dhe Unë shpërblej për të).

 Agjërimi është vepra më e sinqertë tek Allahu xh.sh. Agjërimi është shpirti i sinqeritetit me Allahun xh.sh. dhe nuk di kush të shpërblejë më mirë për këtë, përveç Ai që e ka bërë obligim.

Ne sot kemi kryer një kusht themelor prej kushteve të fesë islame që është detyrim një muaj në vit. Ne sot e ndiejmë veten më të  lirë dhe më të kënaqur që arritëm ta kryejmë edhe këtë obligim.

Ramazani është muaj i bujarisë dhe i bamirësisë. E kush ka qenë bujar e bamirës gjatë këtij muaji, sot ka një shpërblim të veçantë. Prandaj, le ta vazhdojë atë fisnikëri dhe atë bamirësi edhe në 11 muajt e tjerë!

Ramazani është muaj që qetëson shpirtin dhe trupin, e ky qetësim duhet ta mbajë deri në Ramazanin e ardhshëm.

Ramazani është qetësim i shpirtit dhe pastrim i trupit, e ky qetësim dhe pastrim do të na mbajë deri në Ramazanin e ardhshëm.

Ramazani njeriun e mëson dhe e ushtron të bëhet i forte, i qëndrueshëm dhe këmbëngulës në qëllimet e veta. E kjo qëndrueshmëri do të na mbajë të fortë deri në Ramazanin e ardhshëm.

Muaji Ramazan është muaj i solidaritetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve, e këtë solidartet dhe këtë bamirësi duhet ta vazhdojmë edhe pas Ramazanit.

** Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., në një hadith thotë:

Shembulli i besimtarëve në solidaritetin dhe mëshirën e ndërsjellë është sikurse shembulli i një trupi të vetëm, nëse një organ i tij ankohet, atëherë edhe organet tjera nuk janë të qeta.

Ramazani na ka mësuar të jemi të butë e zemërgjerë, bujarë e krenarë, të devotshëm e durimtarë, të sinqertë e besnikë, t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit në vështirësi e lehtësi…

Muaji Ramazan është muaj bashkimi në mes njerëzve, pa marrë parasysh gjendjen sociale, kulturore, ekonomike, pastaj pozitën etj., pra kur të gjithë duhet të jenë të barabartë. Prandaj, edhe në këtë Fitër-Bajram duhet të vazhdojë një gjë e tillë, e po ashtu edhe në ditët tjera gjatë tërë vitit.

Muaji Ramazan është muaj i programit dhe rregullit në çdo pore të jetës, e po ashtu edhe në ushqim dhe pije në kohë të caktuara, prandaj programi dhe termini në fenë islame luan një rol tejet me rëndësi.

Besimtari, përveç që kryen një obligim njëvjeçar të Allahut xh.sh., mëson edhe program e rregull, e këtë rregull duhet ta ketë parasysh edhe në njëmbëdhjetë muajt e tjerë që na presin në vazhdim të jetës.

Besimtari në muajin Ramazan është dashur të jetë:

–         i devotshëm – durimtar – fisnik – bamirës – i qetë – i fortë – i qëndrueshëm – këmbëngulës – solidarizues – i butë -zemërgjerë – bujar – krenar – korrekt – i sinqertë – besnik – i rregullt –respektues i ligjeve, e me gjithë këto nuk ka qenë i lejuar të përdor ushqime dhe pije gjatë ditës.

–         e sot, besimtari prapë duhet të jetë sikur që ka qenë në Ramazan, por duke u kthyer në përditëshmërin e tij, duke u ushqyer por pa e tepruar.

Hani dhe pini e mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë!

Përfundimi i Ramazanit dhe ardhja e Bajramit duhet të shfrytëzohet për ndërprerje të përhershme të disa veseve dhe veprave të liga, e jo të nxitohet për të vazhduar veprën që ndoshta e kemi braktisur gjatë muajit të bekuar Ramazan.

Pas muajit Ramazan, respektivisht Bajramit, duhet vazhduar me kryerjen e veprave të mira, ngase veprat e mira nuk pushojnë me përfundimin e Ramazanit dhe ardhjen e Bajramit, por ato përfundojnë me përfundimin e jetës.

Allahu xh.sh.thotë:

Dhe adhuro Zotin tënd derisa të jesh i gjallë!”

Të nderuar besimtarë dhe ju teleshikues të tjerë,

U ndamë nga muaji Ramazan, mirëpo kjo nuk do të thotë se do të lirohemi edhe nga obligimet e fesë, e ta lëmë pas dore namazin dhe ibadetin, e t’i kthehemi mëkateve dhe gjërave të ndaluara, sikur Allahu të ishte prezent vetëm në Ramazan dhe jo edhe në muajt e tjerë. Duhet ta dimë se Zoti i Ramazanit është Zot edhe i muajve të tjerë.

Qëllimi i agjërimit është mbjellja e drojës në zemër, edukimi i shpirtit, përmirësimi i moralit, pendimi nga mëkatet dhe fillimi i një periudhe të re në jetën e myslimanit. Për atë është obligim ta ruajmë dronë e Ramazanit, ushqimin shpirtëror të Ramazanit, ibadetin e Ramazanit, bamirësinë e Ramazanit, moralin e Ramazanit, e kështu me radhë…

Bajrami është ditë shpërblimi, është ditë bashkimi, është ditë gëzimi e kënaqësie, ditë sigurie e barazie, ditë kremtimi e ushqimi, ditë vizite të afërmve e farefisit, shokëve, dashamirëve, jetimëve, është ditë pajtimi në mes njerëzve dhe ditë adhurimi, lutje e falënderimi drejtuar Allahut xh.sh.

Edhe pse kaloi muaji Ramazan, Allahu është i Përhershëm. Është Ai që ishte edhe dje, e obligueshmëria ndaj kushteve të fesë së Tij, Islamit nuk bie me kalimin e muajit Ramazan, por vazhdon në një formë më ndryshe./Njeshi&RADIO1/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...