Çmimi Nobel për Paqe iu nda të premten organizatës japoneze të të mbijetuarve të bombardimeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, Nihon Hidankyo, për veprimtarinë kundër armëve bërthamore.
Komiteti Norvegjez i Nobelit tha se çmimi i takon kësaj organizate “për përpjekjet e saj për një botë pa armë bërthamore dhe për demonstrimin përmes dëshmive të të mbijetuarve se armët bërthamore nuk duhet të përdoren më kurrë”.
Jorgen Watne Frydnes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, tha se komiteti “dëshiron të nderojë të gjithë të mbijetuarit, të cilët, pavarësisht vuajtjeve fizike dhe kujtimeve të dhimbshme, kanë zgjedhur të përdorin përvojën e tyre të kushtueshme për të kultivuar shpresën dhe angazhimin për paqe”
Përpjekjet për zhdukjen e armëve bërthamore janë nderuar edhe në të kaluarën nga komiteti i Nobelit. Fushata Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore fitoi Çmimin e Paqes në vitin 2017 dhe në vitin 1995 Joseph Rotblat dhe Konferencat Pugwash mbi Shkencën dhe Çështjet Botërore, fituan për “përpjekjet e tyre për të pakësuar rolin e armëve bërthamore në politikën ndërkombëtare dhe, në një afat më të gjatë, për t’i eliminuar armë të tilla”./Njeshi/