Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me Ambasadorin danez në Kroaci, Ole Frijs-Madsen dhe Drejtuesin e Këshillit për Tregti në Ambasadën e Danimarkës në Kroaci, Zarko Masanovic, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Bëhet e ditur se kryeministri kosovar dhe ambasadori danez shprehën kënaqësinë e tyre për nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, dhe të dy palët mirëpresin një intensitet të rritur të bashkëpunimit në çështje ekonomike.
Ambasadori Frijs-Madsen theksoi interesimin e Danimarkës për mundësi investimesh në sektorët e shëndetësisë, minierave, dhe energjisë së ripërtëritshme. Ndërsa, Kurti shprehu besimin se Kosova ka potencial të madh për të rritur atraktivitetin e saj për investitorët danezë dhe se ky bashkëpunim i thelluar mes dy shteteve do të sjellë avantazhe të konsiderueshme për të dy vendet./Njeshi/