Ambasada amerikane në Prishtinë, ka njoftuar se Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) po punon me partnerë anembanë globit, përfshirë Kosovën, për të forcuar hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit.
Në njoftim thuhet se korrupsioni minon demokracinë, nxit paqëndrueshmërinë dhe kërcënon sigurinë globale.
“Korrupsioni minon demokracinë, nxit paqëndrueshmërinë dhe kërcënon sigurinë globale. Departamenti Amerikan i Shtetit po punon me partnerë anembanë globit, përfshirë Kosovën, për të forcuar hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit, promovimin e transparencës dhe fuqizimin e shoqërisë civile dhe mediave të pavarura për të ekspozuar korrupsionin dhe për të avancuar reformat”, thuhet na njoftim.
Ndërkohë të hënën, më 9 dhjetor 2024, fillon “Java Kundër Korrupsionit 2024”. Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”, edhe këtë vit do ta organizojë “Javën Kundër Korrupsionit 9-13 dhjetor 2024”.
Gjatë kësaj Jave do të realizohen aktivitete të ndryshme që për synim kanë sensibilizimin kundër korrupsionit.
Për shënimin e kësaj Jave, Koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar që të ketë të ftuar të gjithë akterët vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies sa i përket luftës kundër korrupsionit. Në kuadër të aktiviteteve gjatë kësaj jave do të trajtohet korrupsioni, integriteti, llogaridhënia, transparenca etj./Njeshi/