21 C
Pec
E mërkurë, 22 Maj, 2024

Ndalimi i policëve të Kosovës, DASH: Serbia po bën veprime përshkallëzuese

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 18 prill.

Sipas autoriteteve kosovare, Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi.

Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë.

Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Dejan Jankoviq, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

Sipas DASH, marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “ofron parametra të qarta për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe jashtë Serbisë”.

“Siç ka theksuar Bashkimi Evropian, vonesat si këto të fundit, përbëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje”, tha DASH.

Departamenti i Shtetit tha se të gjitha palët duhet t’u shmangen veprimeve që mund ta rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Më herët gjatë ditës thirrje për lirimin e Dejan Jankoviqit bënë edhe Jeffery Hovenir, ambasadori amerikan në Prishtinë, dhe Jorn Rohde, ambasadori gjerman në Prishtinë.

Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Edhe blloku evropian një ditë më parë tha se Serbia, me ndalimin e udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova, në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë, ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Kosova ka thënë se ndalimi dhe “maltretimi” i shtetasve të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi, u bë “në shenjë hakmarrjeje” pasi më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia ka thënë se do të punojë që Kosova të mos pranohet në këtë organizatë gjatë mbledhjes së Këshillit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj

Ministria e Punëve të Brendshme tha se autoritetet serbe i kanë ndaluar “10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë)”, por shtoi se pesë prej tyre janë liruar. Sipas ministrisë, institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan jankoviq.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten, tha se pesë policë të Kosovës “po vazhdojnë të mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”.

“I bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë”, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës gjatë ditës së djeshme tha se për çështjen e paraburgimit të qytetarëve të Kosovës në Serbi u është drejtuar vendeve të QUINT-it – Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja është e shqetësuar me arrestimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, dhe me zhvillimet që ndodhën në kufijtë serbë.

“Rasti i fundit është shqetësues për ne. Shqetësues që po mbahet i ndaluar z.Jankoviq nga autoritetet serbe dhe jam në mënyrë të veçantë i shqetësuar për këtë çështje, se dikë për të cilin ne e njohëm për vite të tëra, dhe kemi ndihmuar në integrimin e komunitetet serb në Policinë e Kosovës, pavarësisht etnisë, dhe rolin e tyre të cilin e kanë luajtur dhe vazhdojnë ta luajnë në pjesën e Policisë së Kosovës. Jemi në mënyrë të veçantë të shqetësuar për ndalimin e z. Jankoviq”, tha Hovenier sot para mediave.

Bashkimi Evropian dje tha se është informuar me rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe se është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstatoi se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

Më 14 prill, kujtojmë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq paralajmëroi se “çdokush që shkel rendin kushtetues të Republikës së Serbisë do të arrestohet dhe do të ndiqet penalisht”.

Vuçiqi e tha këtë paralajmërim duke folur për arrestimin e Sreqko Sofronijeviqit prej Zveçanit, më 13 prill nga Policia e Kosovës për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra/Njeshi&REL/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...