Pas takimit, gjatë një konference për media, McAllister i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të pezullojë taksën doganore prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që dialogu në Bruksel të vazhdojë.
“Sipas pikëpamjes sonë, pezullimi i tarifës do të jetë rruga drejt suksesit. Ne kemi qenë shumë të qartë lidhur me këtë dhe kemi ripëritur mesazhin në këto dy ditë të qëndrimit në Prishtinë. Mes arsyeve tjera kjo është një shkelje e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe po ashtu është shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Prandaj, ne nuk besojmë se ky është vendimi i duhur, i drejtë”, tha McAllister.
I pyetur se a ta mbështeste një shkëmbim të mundshëm të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mund të dilte nga marrëveshja eventuale mes dy vendeve, McAllister tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i tij personal është që për ta do të ishte e pranueshme një marrëveshje që bien dakord të dyja palët.
Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të pezullojë taksën, e cila është në fuqi që nga nëntori i vitit të kaluar. Por, kryeministri Ramush Haradinaj po këmbëngulë që kjo tarifë do të jetë në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
]]>