Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu ka akuzuar Ministrinë e Bujqësisë, se ka refuzuar të mbështesë projektet e “Kooperativës Bujqësore Krusha”, të Fahrije Hotit, dhe se ka vendosur të subvencionojë projektin e vëllait të deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli.
Në reagimin e bërë në Facebook, ajo ka ftuar Prokurorinë të nis hetimet.“Ky pushtet definitivisht e ka humbur rrugën. Merreni me mend, Ministria e Bujqësisë ia ka ndarë 100 mijë euro vëllaut të Fitore Pacollit, vetëm katër ditë pasi e regjistroi biznesin ndërkohë që ia ka refuzuar projektin Fahrije Hotit, që aplikoi me Kooperativën Bujqësore ‘Krusha’. Fitore Pacolli është kryetare e Komisionit parlamentar për Bujqësi. Prokuroria menjëherë duhet të nis hetimet”, ka pohuar ajo derisa ka shpërndarë dy vendimet e Ministrisë së Bujqësisë.