Deputetja e Partisë së Majtë, Cansin Köktürk, u nxor jashtë sallës së parlamentit gjerman të mërkurën për shkak se mbante veshur një bluzë me mbishkrimin “Palestina”, një veprim që u konsiderua si një deklaratë politike nga udhëheqja parlamentare.
Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, ndërhyri gjatë seancës, duke u kujtuar deputetëve se mesazhet politike në veshje nuk lejohen në sallë
“Ne kemi rënë dakord dhe këto janë rregullat e qarta të Dhomës”, tha Klöckner, “që as ngjitëset dhe as ndonjë formë tjetër emërtimi në bluza nuk luajnë rol”.“I kam kërkuar Köktürk të ndërrojë pulovrën e saj – dhe ne nuk e bëmë publike këtë – por me sa duket ju refuzoni. Pastaj do t’ju kërkoja të largoheni nga mbledhja. Ju lutem bëjeni”, shtoi ajo.
Kjo nuk është hera e parë që Köktürk ka tërhequr vëmendjen në parlament. Në ditën e saj të parë si deputete, ajo u shfaq në Bundestag e veshur me një shall që i ngjante një qefjeje palestineze, duke i shtyrë anëtarët e CDU-së konservatore të bënin thirrje për një ndalim zyrtar të simboleve të tilla.
Köktürk më vonë iu përgjigj incidentit në X, duke shkruar: “Gjermania do të vazhdojë të furnizojë me armë Izraelin. Asnjë fjalë për mbi 50,000 fëmijë të vdekur dhe të plagosur. Klöckner më kërkon të largohem nga salla plenare sepse në bluzën time shkruan ‘Palestina’. Ju të gjithë keni dështuar keqas”.
Ndërsa Bundestag nuk ka një kod të detajuar veshjeje, rregullat e tij kërkojnë që deputetët dhe vizitorët të vishen “në përputhje me prestigjin” e institucionit. Zbatimi i këtij standardi lihet në diskrecionin e kryetarit të seancës.
Incidentet e kaluara sugjerojnë se çështja nuk kufizohet vetëm në ndonjë parti apo prirje politike. Në vitin 2017, një vajze 13-vjeçare që vizitonte Bundestagun në një ekskursion shkollor iu kërkua në sigurim të mbyllte zinxhirin e bluzës së saj për të fshehur sloganin “Mirë se vini refugjatë”.
Dhe në vitin 2009, një student u ndalua sepse mbante veshur një bluzë me mbishkrimin “Bëni dashuri, jo luftë”.Kohët e fundit, deputeti Marcel Bauer u përjashtua dy herë nga salla plenare për shkak se refuzoi të hiqte një beretë të zezë, gjë që u konsiderua e papërshtatshme. Si Klöckner ashtu edhe nënkryetarja e Bundestagut, Andrea Lindholz (CSU) e urdhëruan atë të ndiqte normat e veshjes së parlamentit ose të largohej. /Njeshi/