18.8 C
Pec
E premte, 24 Maj, 2024

Dëshmitarët rrëfejnë për maltretimet që thonë se u shkaktoi i akuzuari për krime lufte në Pejë

Në gjykimin ku Millorad Gjokoviq po akuzohet për krime lufte, dëshmitarët Sami Gashi, Bedri Gashi dhe Enver Gashi kanë rrëfyer për maltretimet që u shkaktoi i akuzuari Gjokoviq dhe paramilitaret serbë.

Dëshmitarët kanë rrëfyer për burgosjen dhe përjetimet e tyre gjatë vitit 1999 dhe po ashtu kanë deklaruar se tani të akuzuarin Gjokoviq e kishin parë me uniformë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht dëshmitari Sami Gashi të akuzuarin Gjokoviq e ka përshkruar si ofiqar të dhunshëm në zyrën e vendit në fshatin Vitomericë, duke thënë se i njëjti ishte i dhunshëm për gjithë komunitetin shqiptar.

Ai tha se asnjë dokument nuk kanë mundur ta nxjerrin pa paguar ryshfet.

“Të akuzuarit është dashtë mi dhanë pare për me nxjerrë një dokument gjë që e kam cek edhe në deklaratat e mija në vitin 1997”, ka thënë dëshmitari Gashi.

Sipas tij, i akuzuari Gjokoviq ka qenë i armatosur me pushkë automatike dhe kishte pasur radio lidhje.

“I armatosur me pushkë automatike revole dhe radio lidhje ka pas. Na ka vizitu aty në garazh jo për dere po për një vrimë se janë kanë dyrtë … e di që na ka vizitu e na ka thanë “kojshi s’kom çka me ju ba, kjo është luftë””, tha dëshmitari Gashi.

Gjithashtu, ai tha se paramilitarët serbë kanë qenë nën ndikimin e alkoolit dhe të narkotikëve dhe se të njëjtit i kishin rrahur.

Po ashtu, edhe dëshmitari i radhës Bedri Gashi ka sqaruar se deri sa kishin qenë te mbyllur në një garazhë, aty kishin parë të akuzuarin nga i cili tha se kishin kërkuar ndihmë por se i njëjti iu kishte thënë “jo se është luftë”.

Ai tha se hera tjetër kur kishte parë të akuzuarin kishte qenë tek shtëpia e një familjari të tij., kurse tha se i njëjti edhe më herët kur kishte punuar në zyre të vendit kishte pasur mllef ndaj tyre.

Sipas tij, në rastet kur ata kanë nxjerr ndonjë dokument, i akuzuari Gjokoviq ka kërkuar ryshfet prej 50 apo 100 marka.

“Nëse nau ka dashtë naj certifikatë e lindjes ky pa ryshfet pa ta marr ni 50 marksh ni 100 marksh s’ka leju”, tha dëshmitari Gashi.

Ai tha se i akuzuari është në njohuri për shumicën e gjerave që kanë ndodhur në fshatin Ozdrim.

“Ky për çdo sen që ka ndodh në fshatin Ozdrim ky e din, nëse nuk e ka vra dikan, ky e din kush e ka vra ose ku o, ose do që s’gjinden sot ku jonë”, tha ai.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Enver Gashi i cili po ashtu ka sqaruar se gjatë kohës sa kanë qenë të mbyllur në garazh, kishte parë të akuzuarin Gjokoviq.

“Aty garazha ka qenë 1 gisht 2 gisht qelun, aty dikush tha që erdh “Micko”, kanë prit që ka me na nimu, i ka thanë dikush a munesh me na nimu, ai ka thanë lufta është nuk kom çka me ba”.

Ai tha se të akuzuarin Gjokoviq para luftës e kishte parë në zyre të vendit në fshatin Vitomericë, kurse pas luftës kur e ka parë nuk e kishte ditur se është ai pasi që i njëjti tha se është njohur vetëm me nofkën “Micko”.

“Tash vonë e kemi kuptu kush është me këtë emër Gjokoviq se na e kemi njoft për Micko”, ka thënë dëshmitari Gashi.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millan Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoqiv ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale./ Njeshi & BetimipërDrejtësi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...