27.9 C
Pec
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Dëshmitari rrëfen për vrasjen e vëllait dhe mësuesit nga paramilitarët serbë

Në gjykimin për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviq, dëshmitari Ferat Morina, të premten ka rrëfyer për vrasjen e E.M. (vëllait të tij ) dhe A.G., (ish-mësuesit të tij), nga paramilitarët serbë gjatë vitit 1999.

“Krismat e para janë ni tek Krasniqt, atëherë kam shiku tek shpija jeme, e kam pa vëllaun tim E.M., me A.G., kanë vrapu në drejtim ka shpija ku isha unë, po krismat që kanë fillu E.M., u rrëzu i pari, A.G., u rrëzu i dyti. E kam ditë që dytë janë të vdekur”, deklaroi Morina.

Në ditën kritike më 7 maj 1999, kur ishte vrarë vëllai i tij, dëshmitari thotë se e kishte parë të akuzuarin Gjokoviq dhe me dy paramilitarë tjerë serbë nëpër tokat e tyre.

Dëshmitari Morina tha se të akuzuarin e kishte njohur edhe para lufte, por që nuk kishte pasur kontakte me të.

Mbrojtësi i të akuzuarit Millorad Gjokoviq, avokati Dejan Vasiq pati kundërshtime lidhur me deklarimin e dëshmitarit Morina, pasi që sipas tij, dëshmitari po konsultohej me shkresa tërë kohën.

“Në kuptimin që dëshmitari gjatë dëshmisë shfrytëzon materiale të gatshme, duhet t’ia dorëzojë gjykatës dhe mbrojtjes. Krijohet përshytpja që dëshmitari është i përgatitur nga ana e Prokuroisë dhe se deklarata e tij shkon në favor të Prokurorisë dhe jo në favor të së vërtetës”, tha avokati Vasiq.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, ia kërkoi dëshmitarit Morina shkresat për të bërë identifikimin dhe për t’i konstatuar në procesverbal,transmeton Betimi për Drejtësi

Ndryshe, kur mbrojtja (Dejan Vasiq dhe Vasilije Arsiq), filluan t’i bënin pyetje dëshmitarit Morina, të njëjtit kërkuan që seanca e sotme të ndërpritet për shkak se iu duhej të përgatiten për shkresat e lëndës, të cilat dëshmitari i dorëzoi sot pranë gjykatës.

Këtë kërkesë nuk e kundërshtoi prokurori Ilir Morina, ndërsa e aprovoi gjykatësi Kurtaj.

Në seancën e sotme ishte e paraparë të dëgjoheshin edhe dy dëshmitarë të tjerë, Halit Gashi dhe Albina Krasniqi.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...