18.1 C
Pec
E premte, 20 Qershor, 2025

Dështimi për anëtarësim në KiE – deklarata e presidentes Osmani, arsyetimi i ministres Gërvalla dhe kritikat e kryetarit të PDK-së

Kosova të premten nuk hyri në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshill të Evropës, ndonëse javë më parë Asambleja Parlamentare e këtij institucioni kishte votuar pro aderimit.

Javët e fundit Gjermania, Franca dhe Italia kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me “hapa konkret” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që vështirësoi procesin.

Të premten, pasi u konfirmua se Kosova nuk është në agjendë të Komitetit të Ministrave reaguan presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Reagime pati edhe nga radhët e opozitës.

Pavarësisht se më 17 maj Kosova nuk hyri në agjendë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani mbetet optimiste.Ajo tha se Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës dhe kjo është vetëm çështje kohe.

“Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë ‘prapa shtyllave’ që përcaktojnë Këshillin e Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, shkruan Osmani.

Presidentja e vendit tha se u janë mirënjohës të gjitha vendeve që kanë mbështetur Kosovën deri tani.

“Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut…”, shkruan ajo.

E në ditën kur Kosova nuk hyri në agjendë të Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se në ministerialin e Këshillit të Evropës kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Megjithëse ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës”, shkruan ajo.

Sipas saj, ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë.

“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letrës drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit.

Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh.

Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, shkruan Gërvalla.

Pas dështimit të anëtarësimit në Këshill të Evropës erdhën edhe reagime nga opozita.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka cilësuar si një ditë të hidhur për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Krasniqi ka thënë se do të duhej të festonim pranimin në Këshillin e Evropës.

“Në vend se të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook,

Kreu i PDK-së, ka thënë se “kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”.

Sipas Krasniqit, “shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...