11.6 C
Pec
E hënë, 19 Maj, 2025

Detyrimet tatimore për avokatët, Oda arrin marrëveshje me ATK-në

Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar dy takime zyrtare me menaxhmentin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), përfshirë edhe takimin e fundit të mbajtur sot, lidhur me kërkesat e fundit që kjo administratë ka adresuar ndaj avokatëve.

Në njoftimin zyrtar të OAK-së thuhet se gjatë këtyre takimeve janë trajtuar me seriozitet të plotë veprimtaria e avokatisë, natyra kushtetuese e profesionit, si dhe obligimet ligjore tatimore të avokatëve. Oda ka theksuar se ka mbrojtur me vendosmëri misionin e avokatit si garantues i të drejtave themelore të qytetarëve.

ATK-ja, sipas OAK-së, ka shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim institucional dhe ka pranuar nevojën për koordinim dhe komunikim të drejtpërdrejtë me Odën. Si rezultat i këtyre diskutimeve, është arritur një marrëveshje parimore për shtyrjen e afatit fillestar të caktuar për më 16 maj 2025, i cili do të zëvendësohet me një afat të ri që do të përcaktohet në ditët në vijim, në mirëkuptim të ndërsjellë.

Ky zhvillim i hap rrugë organizimit të takimeve informuese me avokatët në të gjitha rajonet e Kosovës, të cilat do të nisin nga data 12 maj 2025. Qëllimi i këtyre takimeve është informimi i drejtë dhe përmbushja e detyrimeve ligjore me transparencë dhe dinjitet.

Po ashtu, është konfirmuar me shkrim nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, z. Besim Kelmendi, se në asnjë prokurori themelore dhe as në Prokurorinë Speciale nuk është iniciuar ndonjë procedurë penale ndaj ndonjë avokati lidhur me këtë çështje.

Oda e Avokatëve thekson përkushtimin e saj ndaj ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, duke inkurajuar të gjithë avokatët të bashkëpunojnë ngushtë me Odën për mbrojtjen dhe avancimin e profesionit.

“Respektimi i ligjit dhe rendit kushtetues është themeli i punës sonë. Do të vazhdojmë të jemi zë i fuqishëm për të drejtat e avokatëve dhe për interesin e drejtësisë në vend,” thuhet në fund të njoftimit të firmosur nga kryetari i OAK-së, Besnik R. Berisha, dhe nënkryetari Naim Rudari./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...