Një sulm me raketë në një autobus ushtarak ka vrarë 10 ushtarë dhe ka plagosur nëntë të tjerë në veriperëndim të Sirisë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e vendit SANA.
Numri i të vdekurve është më i madhi i raportuar në radhët proqeveritare nga një sulm rebel që nga një marrëveshje armëpushimi, e ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia në mars 2020.
Armëpushimi është mbajtur, pavarësisht sulmeve sporadike nga të dyja palët, duke përfshirë sulmet e vazhdueshme ajrore ruse.
Autobusi u sulmua në perëndim të provincës Alepo, të premten në mëngjes, tha agjencia e lajmeve SANA.
Sulmuesit goditën autobusin me një raketë antitank.
Kreu i lëvizjes shiite të armatosur rëndë të Libanit Hezbollah, i cili ka ndërhyrë në Siri në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad, ofroi ngushëllimet e tij për të vdekurit në një fjalim televiziv më vonë të premten.
Një burim ushtarak pro Damaskut i tha Reutersit se të vrarët në autobus ishin luftëtarë shiitë proqeveritarë nga qytetet Nubl dhe Zahraa.
Qeveria e Asadit është mbështetur në forcat paraushtarake lokale dhe luftëtarët aleatë nga vende, duke përfshirë Libanin dhe Irakun, për të rimarrë pjesë të territorit në luftën 11-vjeçare të vendit.
Siria veriperëndimore është bastioni i fundit i madh i atyre që luftojnë kundër qeverisë së Asadit dhe aleatëve të saj./Njeshi/