Në kuadër të muajit të promovimit të shëndetit mendor dhe Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës ka organizuar një simpozium shkencor me temën “Dhuna në Familje – Qasje ndërdisiplinore dhe roli i profesionistëve të shëndetit mendor”, me pjesëmarrjen e ekspertëve të psikiatrisë, psikologjisë, mjekësisë familjare si dhe përfaqësuesve të institucioneve përkatëse.
Ky simpozium u zhvillua me qëllim të thellimit të diskutimit dhe analizës mbi ndikimin e dhunës në familje në shëndetin mendor, dhe nënvizoi rëndësinë e një qasjeje të bashkërenduar ndërmjet profesionistëve të fushave të ndryshme.
Gjatë punimeve u theksua nevoja për ndërhyrje të hershme dhe diagnostikim të saktë të pasojave të dhunës në shëndetin mendor të viktimave; rritja shqetësuese e dhunës familjare në shoqërinë kosovare dhe rëndësia e rolit të profesionistëve në identifikimin e shkaqeve të saj; bashkëpunimi ndërdisiplinar si kusht për të ofruar një trajtim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës; nevoja për politika të reja dhe mekanizma më efikas institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës ka rikonfirmuar përkushtimin e tij në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe promovimin e shëndetit mendor si një shtyllë e rëndësishme e mirëqenies dhe sigurisë së përgjithshme shoqërore.
“Investimi në shëndetin mendor është edhe investim në sigurinë shoqërore”, ishte mesazhi kryesor i këtij aktiviteti./Njeshi/