Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, në kuadër të turneut në vendet e Ballkanit Perëndimor, sot po qëndron në Kosovë.
Ai fillimisht është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Pas takimit Osmani bëri të ditur se Kosova dhe SHBA-ja së shpejti do ta finalizojnë marrëveshjen për Dialogu Strategjik. Presidentja Osmani ka thënë se propozimin ia ka bërë SHBA-së, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi propozimin që i ka bërë SHBA-ve, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm. Në këtë drejtim, Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes vendeve tona do të finalizohet së shpejti dhe u dakorduan që ekipet tona të punojnë intensivisht në ditët në vazhdim lidhur me këtë proces”, u bë e ditur në njoftim.
Përpos dialogut strategjik, Presidenca e Kosovës, njofton se në takim u ritheksua aleanca e palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u diskutuan mënyrat për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma. Në këtë takim u ritheksua aleanca e palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u diskutuan mënyrat për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së për Kosovën, duke theksuar rolin vendimtar të Uashingtonit në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe forcimit të institucioneve demokratike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu njoftimi thekson se të dyja palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të avancuar interesat e përbashkëta dhe për të forcuar partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në takim u diskutua edhe për përkushtimin e Kosovës për reforma në sundimin e ligjit, avancimin e qeverisjes së mirë dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm për investime dhe zhvillim ekonomik.
“Presidentja Osmani dhe Sekretari Verma diskutuan gjithashtu kontributin e Kosovës në çështjet ndërkombëtare, përfshirë pritjen e qytetarëve afganë, mbështetjen për Ukrainën dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e paqes dhe sigurisë globale”, thuhet në njoftim.
Pas takimit me presidenten Osmani, Verma u takua edhe me kryeministrin Kurti, takim ky për të cilin ende nuk janë dhënë detaje./Njeshi/