20.2 C
Pec
E premte, 24 Maj, 2024

“Dita e Dëshmorëve të Shqipërisë”, Kurti: Dëshmorët e UÇK-së përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për lirinë e vendit

Dëshmorët e Kombit nderohen sot për sakrificën e tyre sublime për të mbrojtur atdheun në kohë lufte.

Por në 5 maj shqiptarët përkulen me nderim edhe për të rënët në detyrë, policët, ushtarakët apo funksionarët e tjerë që kanë humbur jetën në krye të detyrës, për të mbrojtur rendin dhe sigurinë.

Këtë ditë e ka përkujtuar edhe kryeministri Albin Kurti.

“5 maji është dita e dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë kudo dhe kurdo gjatë historisë. Andaj sot i kujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë në të gjitha etapat e së kaluarës sonë. Trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim”, ka shkruar Kurti.

Ai thotë se dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit.  “Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcjillen si mësime dhe frymëzime ndër breza”.

“Çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri thotë se dëshmorët janë të vetmit që e kanë përfunduar dhe vulosur angazhimin e tyre për vendin, për lirinë dhe për atdheun.

“Ne të gjallët e sotëm dhe të brezave pasardhës, e kemi për detyrë të përditshme angazhimin dhe përpjekjen për atdheun, për lirinë dhe për vendin”.

Kurti nuk ka lënë pa përkujtuar edhe dëshmorët e UÇK-së.

“Sivjet po bëhen 25 vite nga çlirimi i Kosovës në qershor të vitit 1999. Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për lirinë e vendit tonë. Ata janë dëshmorët më të freskët në kujtesën tonë kolektive për rrugën që kemi ndjekur deri te liria, andaj edhe përkujtimet e nderimet tona për dëshmorët, nisin prej tyre dhe mbarojnë me ta”.

“Lavdi përherë dëshmorëve të kombit të rënë për liri, sot dhe për jetë e mot!”, ka përfunduar Kurti.

Në 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, Shqipëria përkujton të rënët në luftë. Zanafillën e ka te vrasja e Qemal Stafës në 5 Maj të 1942, e në nderim të kontributit të tij të madh në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, u caktua Dita e Dëshmorëve./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...