Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë për lavdi dhe heroizmmin e pashuar
Në një postim të bërë në Facebook, Osmani ka thënë se sot nderojmë e përulemi para veprës heroike të veteranëve të UÇK-së.
“Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar. Sot nderojmë dhe përulemi me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut”, shkruan Osmani në Facebook.
Presidentja shkroi se 30 dhjetori “është datë që mëshiron heriozmin e pavdekshëm të komandatit legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij, të cilët më 30 dhjetor 1991 zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb”.
“Kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt guximi që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtet. Atyre ju bashkuan me mijëra burra e gra, të cilët i dolën zot atdheut në kohët më të rënda, duke u shndërruar kështu në emblemë të shtetit tonë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së”, shkruan Osmani./Njeshi/