Policia e Kosovës, ka nisur hetimet për rastin e veturës së një imami në Pejë, së cilës në orët e para të mëngjesit i është vënë flaka nga një person i maskuar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë se rasti është cilësuar si “Zjarrvënie”.
Tutje, ai ka bërë të ditur se për rastin që ka ndodhur në rrugën “Rozafa”, janë njoftuar rreth orës 03:45.
“Me datë 08.03.2023, rreth orës 03:45, Policia është informuar se në rrugën ‘Rozafa’ në Pejë, një veturë është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë ne vendngjarje, gjithashtu edhe njësiti i zjarrfikësve të cilët kanë arritur ta shuajnë zjarrin”.
Rasti është duke u hetuar nga Policia, dhe është cilësuar si ‘Zjarrvënie’”, ka thënë Rugova.
Ndryshe, imami Eroll Rexhepi ka shkruar të mërkurën në Facebook se “një person gjysmë i maskuar ia ka vënë flakën me lëndë djegëse makinës sime duke e djegur në tërësi dhe duke shkaktuar dëme të tjera…”.