Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, ka thënë se nxënësja e klasës së dymbëdhjetë në gjimnazin ‘Bedri Pejani’, A.D., e cila ka vendosur që të mbulohet, nuk është përjashtuar nga shkolla, por është pezulluar nga procesi mësimor derisa ta largojë shaminë.
Në një prononcim për GR, Gega tha se nuk ka pranuar asnjë ankesë lidhur me rastin në fjalë, ndërkohë që theksoi se në këtë rast vetëm është zbatuar udhëzimi administrativ.
“Jam në dijeni të asaj që drejtori i shkollës, ajo vajza e ka kry klasën e dhjetë dhe të njëmbëdhjetë e ka kry në gjimnaz normalisht, në klasën e dymbëdhjetë e ka vendosë shaminë. Drejtori i shkollës e ka pezullu përkohësisht nga procesi mësimor derisa ta hek shaminë. Në momentin që e hek, ajo i kthehet mësimit të rregullt. Ankesë nuk kam as prej shkollës, as prej palës deri më sot“, tha ai.
Sipas tij, shkolla dhe DKA-ja janë zbatues të ligjeve dhe udhëzimit në fuqi.
“Udhëzimi administrativ neni 1.13 nuk lejon veshjet fetare nxënësit në shkollë dhe në situatën në të cilën ndodhemi është zgjedhje ma e mirë, sepse edhe shkolla edhe gjimnazi në këtë rast edhe DKA-ja, ne në këtë rast, nuk jemi hartues të ligjeve, ne jemi zbatues të ligjeve dhe udhëzimit dhe në këtë rast mendoj që më së miri një deklarim i Ministrisë së Arsimit, na jemi zbatues ndaj tyre dhe i kishim dhanë zgjedhje kësaj çështje“, tha Gega.
Gega njoftoi se me fillimin e vitit të ri shkollor, nuk është raportuar asnjë rast tjetër i njëjtë dhe rasti i nxënëses A.D., deri tani mbetet i vetmi për sivjet.
“Është rasti i vetëm. Për javën e parë e kemi bisedu, në javën e dytë maturantat kanë qenë në ekskursion“, tha drejtori i Arsimit në Pejë./Njeshi/